Të Moshuarit Flasin për Mungesat në Ditën e Tyre

Shumë pensionistë presin me rradhë për të marrë shërbime në QKUK e disa prej tyre mbesin edhe pa i marrë ato.

Koronarografia është përfolë shumë për faktin se ka qenë shumë herë jofunksionale ndërsa mungesa e albuminave dhe barnave të tjera e blerja e tyre nga vetë pacientët, shumë nga ta pensionistë, ka nxjerrë shumë pakënaqësi.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të  Moshuar, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se pritjet për koronarografi nuk janë vetëm për pensionistët por për të gjithë qytetarët e Kosovës ndërsa mungesën e barnave e arsyetoi me procedurat administrative të bartjes së buxhetit.

“Kemi punuar intenzivisht ditë e natë prej se e kemi marrë mandatin që me e bo implementimin e ligjit për sigurime shëndetësore. Ligji për sigurim shëndetësor, nëse jo tjetër, do të krijojë mundësi më të mëdha buxhetore dhe së paku barnat do t’i kemi shumë më shumë se që i kemi sot dhe do ta zvogëlojmë nevojën e blerjes nga xhepi jo vetëm të pensionistëve por edhe të tjerëve për barna”, tha Rrahmani.

Sipas Rrahmanit, buxheti nën 100 euro për kokë banori për shëndetësi i ndarë deri më tash është shumë i vogël.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve Shaban Kajtazi paraqiti problemet me të cilat përballen të moshuarit në Kosovë.

“Pas luftës u ballafaquam edhe me ndërprerjen e pensioneve nga Serbia edhe sot mungojnë shtëpitë e pleqve për strehimin e tyre, mungon ligji për mbrojtjen shëndetësore dhe sigurimin shëndetësor” tha Kajtazi.

Shefi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë Skender Syla duke folur kundër përbuzjes së të moshuarve bëri thirrje për trajtim të drejtë të kësaj kategorie.

“Në këtë ditë OBSH mer qëndrim të qartë kundër përbuzjes së të moshuarve analizat nga OBSH dëshmojnë se qëndrimet negative apo përbuzëse ndaj të moshuarve janë të përhapura gjerësisht këto poashtu negativisht në shëndetin fizik dhe mendor të personave të moshuar “ tha Syla.

Për nder të kësaj ditë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka botuar broshurën me fakte rreth keqkuptimeve rreth moshës dhe shëndetit.