Takim letrar me krijuesin Primo Shllaku në Ditën e Librit

Një takim letrar me shkrimtarin shkodran Primo Shllaku është mbajtur sot në Fakultetit Filologjik të UP-së, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit.

Prezantimi i Shllakut është bërë nga krijuesi Ag Apolloni, i cili ndër të tjera theksoi se Shllaku është një prej krijuesve më reprezentativ të letërsisë shqipe pas rënies së komunizmit.

Apolloni ka pohuar se Shllaku që kur doli me botimet e tij u duartrokit si një shkrimtar që solli një frymë të re në letërsisë shqipe, qoftë në poezi, prozë, dramë apo edhe si studiuesi dhe kritik letrar.

“Mendoj që studime më provokative do të botohen së shpejti. Një veç është botuar dhe nuk është pritur mirë, por që për mua është origjinal, pavarësisht se mund të mos pajtohemi me të”, ka thënë Apolloni.

Më pas përmes bashkëbisedimit edhe me audiencën, krijuesi Primo Shllaku ka folur për krijimtarinë dhe përvojat e tija letrare, problemet aktuale që po përcjellin letërsinë shqipe dhe aktualitetin kulturor shqiptar.

Krijuesi shkodran Primo Shllaku është një shkrimtar bashkëkohor shqiptar, i cili nisi të botojë krijimet e tij tek pas rënies së komunizmit.

Deri më tani, Shllaku ka botuar veprat: “Lule nate”, “Hana e njelmët e ditës”, “Edhe fjalët shkojnë në ferr”, “Muzikantët”, “Aktorë pa kujtesë” etj.