Dita e Librit, Kosova ngel në nxitjen e kulturës së leximit

‘Dita Ndërkombtare e Librit dhe të Drejtës së Autorit’ po shënohet sot në të gjithë botën. Ndërkaq, një datë e tillë u manifestua edhe në Kosovë, përmes një paneli të diskutimit të organizuar nga organizata ‘ETEA’ në të cilin u diskutua për kulturën e leximit, mungesën e mbështetjes së sektorit të librit, kërkesat e lexuesve dhe zbehjen e leximit.

Këshilltari politik i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, Qerim Ondozi tha se si ministri e kanë mision ngritjen e komunikimit gjuhësor përmes zhvillimit të kulturës së leximit.

“Ne do fillojmë me rëndësinë që e ka aktiviteti i përkthimit të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj. Ne kemi shumë pak autorë tonë që janë të përkthyer në gjuhë tjera edhe në gjuhët e rajonit. Duhet rajoni me e njoftë letërsinë tonë”, tha ai.

Ndërkaq për strategjinë për ngritjen e leximit ai tha të marrin ide nga sektori, botuesit, bibliotekat, shoqatat, organizatat jo-qeveritare që çfarë fokusi duhet të ketë Ministria e Kulturës dhe çfarë librash duhet të blejë ose përkthej.

“Kultura e leximit do të bënte një qytetari më aktive e një demokraci më të mirë. është shumë ma serioze se që e projektojmë ne’, tha ai.

Tuana Çitaku, lexuese e vitit 2019 e shpallur nga Biblioteka ‘Hivzi Sylejmani’ tha se është kundër asaj që nxënësit obligohen të lexojnë vetëm një libër gjatë muajit.

“Nxënësit obligohen ta lexojnë vetëm një libër për një muaj që mendoj se është jashtëzakonisht pak. Ata duhet të obligohen të lexojnë të paktën tre libra brenda muajit sa e kishte shtuar kuriozitetin për të lexuar libra tjerë. Pastaj kjo ishte kthyer në dëshirë e jo obligim”, tha Çitaku.

Megjithatë, krahas leximit të librave, kjo datë Kosovën nuk e zë me një numër të madh të lexuesve aktivë.

Hysen Munishi, drejtor i Bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’ tha se ndikuesi kryesor në rënien e lexueshmërisë është përhapja e internetit, lënia pas dorë nga institucionet ligjvënëse, mungesa e kulturës së leximit në familje e mungesa e aktiviteteve nëpër biblioteka.

“Të hartojnë me specialistë të fushave një listë prej 150 ose 200 autorëve që të bëhet botimi e përkthimi i tyre. Një gjë e tillë do ta zbuste situatën në  bibliotekat e shkollore për leximin e detyrueshëm. Kështu do të arrinim ta çojmë përpara kulturën e leximit”, tha ai.

Ndërsa , shkrimtari Ag Apolloni tha se ka rënë dukshëm leximi i librave dhe ndikimi i librave në ndërtimin apo rrëzimin e politikave.

Sipas tij, në zbehjen e leximit ka ndikuar edhe mungesa e debateve për lexim dhe sasia e madhe e debateve politike.

“Nuk besoj që gjithëkund në botë është situata aq kaotike si në Kosovë. Në Angli ose në Francë ka prime-time ku flitet për leximin e janë të ftuar shkrimtarë. Ky problem është brenda Kosovës e jo global”, tha Apolloni.

Në të gjithë botën sot shënohet Dita e Librit, e njohur gjithashtu si ‘Dita Botërore e Librit dhe e Drejtës së Autorit.’

23 prilli festohet për të njohur dhe promovuar leximin e librave, promovimin e botimeve dhe të drejtave të autorit. Dita Botërore e Librit organizohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). Këtë vit shënohet edicioni i 25-të i kësaj date të rëndësishme në kalendarin botëror.

Kjo datë shënohet me 23 prill sepse disa autorë të shquar ose kanë lindur ose kanë vdekur në këtë ditë. Shkrimtarët William Shakespeare, Miguel de Cervantes dhe Josep Pla vdiqën më 23 prill, ndërsa Manuel Mejia Vallejo dhe Maurice Druon lindën me këtë datë.