Sundimi i Ujit në Malishevë

Shtëpi e oborre të vërshuara nga uji ishin një pamje e zakontë sot në orët e pasdits dhe të mbrëmjes në fshatin Mirushë të Malishevës.

Fshati ka përjetuar disa orë të rënda si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm e të pandalshëm që nisi mbrëmë vonë dhe nuk u ndal sot gjatë tërë ditës.

Rruga që kalon nëpër këtë fshat e lidh Malishevën me fshatin tjetër të Kijevës.si një ndër arteriet kryesore të qarkullimit për banorët e kësaj komune, ajo sot ka qëndruar e bllokuar.

Banorët thonë se nuk mbajnë mend një gjendje të tillë.

“Qe 50 vjet nuk mbaj mend të ketë pasur kaq shumë ujë në lumin tonë”, tha për KALLXO.com Enver Thaçi, banor i Mirushës.

Ai thotë se disa familje janë evakuuar.

Thellësia e ujit nëpër oborre të shtëpive të këtij fshati arrin deri në 40 centimetra.

Lumri Berisha, një banor tjetër i këtij fshati, thotë se e ka të vështirë të shkojë në shtëpinë e tij për shkak se uji ka bllokuar rrugët të cilat çojnë në lagje

“Kjo është si në xhungël”, thotë ai.

Nga vërshimet është prekur rëndë edhe qendra e qytetit të Malishevës.

Dhjetëra dyqane e bodrume shtëpish janë vërshuar nga uji pasi lumi i cili kalon në Malishevë doli nga shtrati.

Blerim Mazreku, pronar i një biznesi, thotë se vërshimet kanë ardhur si pasojë e mungesës së barrikadave skaj lumit.

“Nuk kemi pasë mundësi me e ndalë. Kemi tentu me thasë me rërë po ka qenë e pamundur”, thotë ai.

Mazreku është ankuar për mungesën e ndihmës institucionale për ta parandaluar këtë fatkeqësi.

Dy pronarët e tjerë të dyqaneve të rrobave. Mehdi Mazreku e Bekim Kryeziu, i kanë fajësuar ndërtimet përreth shtratit të lumit për vërshimet e sotme.

Por i shqetësuar duket edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Ai në një intervistë për KALLXO.com tha se asnjëherë gjatë jetës së tij nuk ka parë këso vërshimesh.

“Ujërat dhe vërshimet që kanë ardhur nga Zoti e kanë shkaktuar një gjendje të tillë sepse unë i kam 60 vite dhe asnjëherë nuk ka pasur këso vërshime”, tha Begaj.

Qendra e komunës që e drejton Begaj ka qenë e bllokuar që nga ora 12:00. Të bllokuara kanë qenë edhe të gjitha hyrjet në këtë qytezë.

“Kemi pasur mjaft vështirësi me evakuimin e nxënësve, me evakuimin e personave të dializës, mirëpo kemi kaluar pa pasoja në njerëz”, tha Begaj.

Por ai thotë se dëmet në makineri dhe biznese janë të mëdha prandaj kërkon ndihmën e nivelit qendror për ta zbutur gjendjen e krijuar.

“Nesër (të enjten) me një komision emergjent do të japim shënimet e sakta se sa janë dëmet e shkaktuara nga vërshimet”, tha Begaj.

Edhe deputeti malishevas i Kuvendit të Kosovës, Sali Morina, kërkoi ndihmë nga Qeveria e Kosovës për shtëpitë dhe bizneset e dëmtuara nga këto vërshime.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i ndihmojë së pari shtëpitë e banimit të cilat janë dëmtuar dhe njëkohësisht duhet t’i ndihmojë edhe bizneset në bazë të vlerësimit sepse ka humbje jashtëzakonisht të mëdha”, tha Morina.