Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Shtyrje e Sërishme e Gjykimit të Drejtorit të Shkollës

Seanca e gjykimit të Shemsi Lushakut është shtyrë për mungesë të avokatit të tij Ramë Gashi.

Lushaku po gjykohet për shpërdorim detyre, ndërsa në seancën e sotme kryetari i trupit gjykues i kërkoi të akuzuarit që të kontaktojë me avokatin e tij për ta kuptuar arsyen e mungesës, duke ia dhënë Shemsi Lushakut 10 minuta kohë për bisedë me Gashin.

Pasi Lushaku e përfundoi bisedën, kërkoi shtyrjen e seancës duke treguar se avokati i tij nuk mund të vijë në seancë.

Në këto kushte, pas pauzës prej 10 minutash kryetari i trupit gjykues vendosi që seanca e radhës të mbahet më 19 tetor 2016.

Ish-drejtori i Shkollës Teknike në seancat e kaluara është deklaruar i pafajshëm.

Shemsi Lushaku akuzohet se si person zyrtar gjatë periudhës kohore 2010-2013 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka përvetësuar më shumë se 8,600 euro.

Në këtë rast shtyrje ka pasur edhe më herët.

Në qershor pala e dëmtuar- përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, nuk ishte në gjendje të jepte dëshminë me arsyetimin se nuk i posedonte asnjë nga shkresat e lëndës, për çka seanca ishte shtyrë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/ish-drejtori-shkolles-teknike-ndihet-pafajshem/

http://kallxo.com/deshton-seanca-ne-rastin-e-ish-drejtorit-te-shkolles-teknike/