Shpend Ahmeti e Hashim Thaçi polemizojnë për takimet sekrete Kosovë – Serbi

Në tryezën e sotme rreth fazës finale të dialogut Kosovë – Serbi, të organizuar nga Instituti RIDEA, Presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëkryesuesi i ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti, u përfshinë në një polemikë rreth takimeve sekrete të përfaqësuesve të dy vendeve.

Fillimisht ishte Presidenti ai që kritikoi takimin sekret, larg syve të opinionit, të dy këshilltarëve të kryeministrit të zhvilluar javën e kaluar në Berlin me përfaqësues të qeverisë së Serbisë.

Por Shpend Ahmeti, kur e mori fjalën, ia përmendi Thaçit edhe ‘takimet sekrete’ që ai tha se Presidenti i ka zhvilluar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

“Po më vjen mirë President që ia kanë nisë me të pengu takimet e fshehta në këtë rast të kryeministrit, sepse takime të fshehta ka pasë edhe prej juve me Vuçiqin dhe po më vjen mirë që po të pengon kjo sepse asnjëri nuk ishte dashtë me ia ba (takimet e fshehta)”, tha Ahmeti.

Ai i polemizoi Thaçit edhe në konstatimin e tij që vendi është i izoluar.

“Jemi të izoluar, por mos e shpërndani fajin. Ka fajtorë për këtë punë. Pse jemi të izoluar nuk është veç konstatim, pa e ditë pse jemi të izoluar. Ka arsye pse jemi të izoluar, ka të bëjë me korrupsion, ka të bëjë me krim të organizuar, ka të bëjë me moszhvillim ekonomik dhe duhet me ia qitë adresën e saktë pse jemi të izoluar. Nuk mund ta përgjithësojmë këtë”, tha Ahmeti.

Ndërsa Thaçi e mori fjalën për ta demantuar Ahmetin.

“Pa dashur të polemizoj me ju. Por kurrë takim sekret mes meje dhe Presidentit serb nuk ka ndodhur. Me prezencë  ndërkombëtare kanë ndodhur, siç e dinë të gjithë. Ftoj për konsensus për të dalë nga izolimi dhe papunësia”, tha Presidenti Thaçi.