Bilall Sherifi

Sherifi- Konjufcës: Më pak Ndikon Rakia se Bari që po ju Çon në Orgji Seksuale

Bilall Sherifi nga Grupi Parlamentari i Nismës për Kosovën ka replikuar ashpër ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca lidhur me deklaratën e tij për arsyet pse ai mendon që Zv.Kryeministri Dardan Gashi kishte gjuajtur me armë.

Konjufca në fjalën e tij kishte thënë se ka mundësi që rakia dhe mishi në ahegun ku kishte qenë Gashi kishte ndikuar në gjuajtjen me armë.

Lidhur me këtë, Sherifi i tha Konjufcës se rakia nuk është më dëmshme se bari (substanca narkotike), që sipas tij po ndikon në orgji seksuale brenda partisë së tij

“Unë do ta kisha kuptu sikur kjo pikë e rendit të ditës nëse do të ishte debat parlamentar por në interpelancë trajtohet një punë e qeverisë. Parlamenti është shndërruar në një gjykatë. Të gjithë që e morën fjalën ju referuan ata që kanë pa si fakte. Glauk më beso që më pak ndikon rakia se bari. Bari juaj që po ju qon në orgji seksuale që ju e keni thënë jo unë”, tha Sherifi.

Me këtë ai ju referua disa raportimeve që dolën në media lidhur me ngacmime seksuale dhe seksizëm brenda LVV-së.

“Ato që kemi ndëgju këto dy javë ja ka heq të gjithë të drejtën me moralizu. E kemi pas nuk po bëjshi dallim nga pjesë e shoqërisë”, tha Sherifi.

Kryesuesi i Seancës Plenare, Kujtim Shala ia ka tërhequr vërejtjen Sherifit për gjuhën jo-parlamentare të  cilën e ka folur në këtë rast. Ai ka thënë se do t’ia ndalë fjalën secilin deputet që përdorë gjuhë të njëjtë.

Por në këtë debat është përfshirë edhe deputeti i Vetëvendosjes Sami Kurteshi.

“U përpoq me u bë  njëfarë relativizimi, sipas atij parimi ai që nuk ka bërë gabim le të gjuajë gurë mbi mua. Nuk ka nevojë me nxjerrë gjëra pa kurrfarë nevojë sikur e nxori aj miku im nga Nisma i nxori çështjet sikur me qenë interpelanca kundër Vetëvendosjes”, tha Kurteshi për Sherifin.

Kurteshi më tutje përmendi fjalët që sipas tij nuk duhet të thuheshin.

“U fol këtu për barin, për  drogën, për seksin dhe për orgjitë seksiste. Mani se janë marre këto me i përmend, sa për informim ne megjithatë jemi në gjendje me i hapë të gjitha temat, tabutë që kjo shoqëri nuk guxon me i hapë. Por jo një keqinterprertim i gjërave. Po ne flasim edhe për ngacmimin seksual,  ne flasim për gjithçka, sepse kjo shoqëri i bën ato por nuk i hap, ne i hapim”, tha Kurteshi.

Por Billal Sherifi tha se nuk ka gjëra që nuk duhet të mos përmenden.

“Sami, marre është me i bë dhe jo me i përmend. Sikur të kishte thënë që kjo seancë, kjo temë është dashtë me u trajtu në Kuvend, por në një formë tjetër. Unë nuk të nguci i pari kurrë ama i dyti menxi pres”, tha Sherifi.