Presidenti Hashim Thaçi dhe ambasadori amerikan, Greg Delawie, në ceremoninë e dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti joshumicë - Foto: Facebook

ShBA Mirëpret Dekretimin e Gjykatësve dhe Prokurorëve të Rinj

Ambasada amerikane në Kosovë ka mirëpritur dekretimin e gjykatësve dhe prokurorëve të komunitetit joshumicë në Kosovë.

“Me dekretimin e sotëm, Kosova po avancon në integrimin e komuniteteve pakicë dhe po rritë qasjen në drejtësi për të gjithë qytetarët e saj. Integrimi në gjyqësor përmbush marrëveshjen e arritur në shkurt të vitit 2015 në Dialogun për Normalizim me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja dhe shënon një hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet e Kosovës për të ndërtuar institucione plotësisht funksionale të Sundimit të Ligjit”, thuhet në komunikatën e Ambasadës Amerikane.

Tutje në kumtesë theksohet se është jetike për të ardhmen euroatlantike të Kosovës që të gjithë qytetarët e saj të përfitojnë nga një sistemi i barabartë, transparent dhe funksional i drejtësisë.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për të përmirësuar sistemin kosovar të sundimit të ligjit në gjithë vendin”, përfundon komunikata.

Ndryshe sot presidenti i vendit, Hashim Thaçi, me dekret ka emëruar 40 gjyqtarë dhe 13 prokurorë të rinj të shtetit nga komuniteti joshumicë.

Me aktin e betimit bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më 10 shkurt 2015./21Media