Presidentja Vjosa Osmani dekreton 29 gjyqtarë me mandat fillestar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar sot 29 gjyqtarë.

Kështu ka njoftuar Presidenca përmes një komunikate.

“Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, Osmani ka theksuar se në konsolidimin shtetëror, sistemi i drejtësisë luan një rol shumë të rëndësishëm, teksa ka shtuar se “ne po punojmë fort që ky sistem të jetë i pavarur, i drejtë, i paanshëm, dhe i cili siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e së Kosovës”.