Kuvendi i Kosoves, Photo:Atdhe Mulla.

Selmanaj: Ratifikimi i Demarkacionit u Shty për Biden-in

Edhe pse Qeveria e Kosovës ratifikimin e marrëveshjes së përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi të nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë e dërgoi në Kuvend më 4 gusht, Kryesia e Kuvendit vendosi që ta caktojë seancën në lidhje me këtë marrëveshje më 1 shtator, megjithëse pritej që legjislativi të vepronte më shpejt për të tentuar përfundimin e kësaj çështjeje.

Driton Selmanaj nga “Demokracia Plus” i tha KALLXO.com se kjo shtyrje mund të lidhet edhe me ardhjen e zëvendëspresidentit amerikan  Joe Biden në Prishtinë javën e ardhshme.

“Kjo lidhet edhe me vizitën e zëvendëspresidentit amerikan në Kosovë, e tash dihet mirëfilli që ShBA-të i kanë dhënë përkrahje ratifikimit të marrëveshjes. Pra nuk mund të përjashtohet mundësia që partitë në pushtet ta kenë lënë për 1 shtator për këtë arsye,” tha Selmanaj.

Vizita e Bidenit në Kosovë është paralajmëruar të ndodhë më 16 e 17 gusht, ndërsa gjatë saj numri dy i Amerikës do të takohet me Presidentin e Kryeministrin dhe do të marrë pjesë në emërimin e autostradës Prishtinë-Gjilan me emrin e djalit të tij të ndjerë Beau Biden.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht i kanë dhënë përkrahje marrëveshjes së demarkacionit të nënshkruar vitin e kaluar duke thënë se Kosova nuk humb territor nga ajo, pavarësisht që partitë opozitare dhe disa nga ekspertët kosovarë pretendojnë humbje territori.

http://kallxo.com/amerika-konfirmon-kufirin-kosove-mali-i-zi/

Analisti Selmanaj lënien në shtator të ratifikimit të demarkacionit e lidh edhe me mungesën e mundshme të votave në Kuvend të partive të koalicionit qeveritar për ratifikimin e marrëveshjes së vijës kufitare me shtetin fqinj.

Sipas Selmanajt kjo hapësirë kohore pritet të shfrytëzohet nga LDK-ja dhe PDK-ja për të siguruar votat e deputetëve,  pasi që kanë dyshime nëse i kanë votat e duhura.

Përveç subjekteve opozitare që e kundërshtojnë këtë marrëveshje, ka edhe deputetë të pozitës që janë të lëkundur për votim pro, ose i janë bashkuar këtij kundërshtimi.

Gazeta Jeta në Kosovë para disa muajsh botoi një analizë të zërave ndryshe brenda partive në pushtet të cilët mund të mos e votojnë marrëveshjen e demarkacionit.

Votat e Pasigurta të Pozitës për Demarkacionin

Analistët e konsiderojnë të rrezikshme situatën e krijuar mes pozitës e opozitës të cilat që një kohë të gjatë kanë qëndrime krejtësisht të kundërta.

“Palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të njëjta përkundër argumenteve të prezantuara pro apo kundër. Andaj në situata të tilla ku negocimi i qëndrimeve nuk është i mundur, rreziku për përshkallëzim të situatës është gjithmonë i pranishëm,” thotë për KALLXO.com Mentor Vrajolli, njohës i çështjeve të sigurisë.

E sa u përket deklaratave të zyrtarëve të “Vetëvendosjes” se çkado që ndodhë atë ditë ( më 1 shtator) përgjegjësia bie mbi pushtetarët, Selmanaj thotë që protesta si akt nuk është problem, por dhuna që po promovohet.

Vrajolli e komenton edhe sulmin e 4 gushtit me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që thotë se e ka shtuar pasigurinë te qytetarët.

“E patëm një incident i cili deri më tani në masë të madhe u interpretua si paralajmërim i përshkallëzimit të situatës së sigurisë. E ndonëse këto aludime mund të mos kenë qenë të saktë për shkak se kryesit e këtij sulmi ende nuk janë identifikuar, vetë dyshimet e ngritura deri më tani kanë ndikuar në ngritjen e ndjenjës së pasigurisë si te qytetarët ashtu edhe te institucionet,” thotë Vrajolli.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni kur raportoi në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së më 8 gusht, sulmin e konsideroi serioz, nuk tregoi për shkak të hetimeve lojin e armës me të cilën u sulmua Kuvendi dhe bëri të ditur se për këtë sulm janë intervistuar disa persona.

http://kallxo.com/maxhuni-kuvendi-nuk-eshte-sulmuar-zola/