SBASHK: GAP të kërkojë falje nga mësimdhënësit e viteve të 90-ta
Ilustrimi i raportit të Institutit GAP të quajtur ‘ Ndikimin Buxhetor i Ligjit për Punëtorët e Arsimit Shqip të Viteve të 90-ta’ ofendoi mësuesit sindikalistë.
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë reagoi mbi përmbajtjen e raportit, por me theks të veçantë në vizatimin e kopertinës së tij.
GAP në kopertinën e këtij raporti ka vënë një ilustrim të ngjashëm me abetaren por me dallim tek nxënësit që qëndrojnë mbi shkronjat ‘ABC’.
“Aq më shumë në këtë vizatim të kopertinës nxënësi paraqitet me një fytyrë të vrenjtur dhe në vend të buzëqeshjes vetëm sa nuk i ka dalë loti nga dëshpërimi, kurse nga çanta e tij dalin mizat. Në po këtë kopertinë të dizajnuar keq nga GAP , në vend të nxënëses, që është në kopertinën e njërës nga abetaret, është vendosur një burrë barkalec, me buzëqeshje ironike dhe me çantën, e cila nuk ia ka zënë gjithë paratë, por ato kanë nisur t’i dalin nga çanta. Kështu e portretizon mësuesin e viteve të 90-ta GAP. Kjo nuk ka të bëj me të vërtetën dhe është fyerje ndaj personalitetit të pishtarëve të dijes.”, thuhet në reagimin e SBASHK.
Sipas SBASHK raporti i GAP paraqet një draft të bazuar në supozime.
“Përfaqësuesi i SBASHK-ut me argumente e fakte ua hodhi poshtë gjithë pretendimet e tyre negative ndaj ligjit”, thuhet në reagim.
Në reagimin e tyre SBASHK u ka përshkruar GAP-it se si në të vërtetë është dukur një mësues që punonte në Kosovë në vitet 90-ta.
“Mësuesi në atë kohë nuk ka qenë i veshur si në vizatimin e GAP e as nuk ka pasur çantë. Ai në të shumtën e kohës ka punuar pa pagesë po në emër të idealit për atdheun e lirë dhe me vetëdijen se po i shërben dritës kundër errësirës. GAP këtë gabimin me kopertinën e bëri, mbase, pa qëllim, por vizatimi doli ofendues dhe prandaj GAP duhet t’u kërkojë falje publike mësimdhënësve dhe nxënësve të viteve të 90-ta”, përfundon reagimi.
Mësimdhënësit e viteve 90-ta i ‘kushtojnë’ buxhetit deri 650 milionë euro