Kërkohet përshpejtim i procedurave për Projektligjin për mësimdhënësit e viteve ‘90

Fatmire Berisha, e cila punon qe 45 vjet si mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë, ka rrëfyer për KALLXO.com vështirësitë me të cilat është përballur gjatë viteve 1990-1999 për realizimin e një ore mësimore.

Këtë periudhë të punës ajo e cilëson si më të vështirën gjatë karrierës së saj.

“Në atë kohë mësimin e kemi mbajtur në shtëpi që kanë qenë në lagje të ndryshme por se kanë qenë kushtet jashtëzakonisht të vështira. Ka qenë shumë ftohtë, udhëtoja çdo ditë dhe shkoja në ora 6 në mëngjes për të ndezur zjarrin sepse ishte shumë ftohtë. Ajri ishte shumë i rëndë dhe ka pasur raste që nxënësit kanë humbur ndjenjat. S’kemi pasur as ku te ulemi, por gjithsesi këtë e kemi bërë për ditë më të mira”, thotë Berisha.

Në mënyrë që ky mund t’u shpërblehet mësimdhënësve si Fatmire Berisha, Qeveria e Kosovës muaj më parë kishte dërguar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për mësimdhënësit e viteve ’90, i cili është miratuar në lexim të parë, por se tashmë pritet edhe leximi i dytë, që të hyjë në fuqi.

Në lidhje më këtë Projektligj mësimdhënësja Fatmire Berisha tha se kjo procedurë është zgjatur ndoshta për të zvogëluar numrin e përfituesve.

“Mos po zgjatet kjo procedurë në mënyrë që të zvogëlohet numri i këtyre përfituesve. Nuk e di, vetëm se është shqetësuese dhe këto kalkulime nuk janë të mira. Ky Projektligj duhet të votohet. Ne i kuptojmë procedurat e ligjeve por shpresojmë që kjo të mos shtyhet, sepse çdo qeveri e ka nisur deri më tani por nuk e ka përfunduar”, tha ajo për KALLXO.com.

Edhe kryetari  i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës  (SBAShK), Rrahman Jasharaj tha për KALLXO.com se debati për Projektligjin që rregullon statusin e punëtorëve të arsimit shqip nga viti shkollor 1990/1991 deri në vitin shkollor 1998/1999  te Komisioni për Arsim është zgjatur shumë.

“Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta është në procedurë të Komisionit për Arsim pas leximit të parë. Vërtetë debati publik dhe debati në Komision për të është zgjatur më shumë se sa duhet, por ne jemi angazhuar vazhdimisht dhe Komisioni është në fund të punës për këtë ligj”, tha ai.

Ai po ashtu paralajmëroi grevë nëse nuk përshpejtohen procedurat për miratimin e këtij  Projektligji.

“Do të vazhdohet me procedurat gjegjëse dhe Projektligji do të shkojë në leximin e dytë  dhe ne jemi të sigurt se deputetët shqiptarë, ashtu si në leximin e parë do ta votojnë edhe në leximin e dytë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë SBAShK do të shkojë me veprime sindikale, pra me grevë të përgjithshme për çka do të vendosin vetë punëtorët e arsimit”, ka deklaruar Jasharaj për KALLXO.com.

Kurse kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi ka konfirmuar për “KALLXO.com” se Projektligji do të procedohet në Kuvend gjatë muajit tetor.

“Projektligji që rregullon statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/1991 deri në vitin shkollor 1998/1999 do të dërgohet në Kuvend nga Komisioni për Arsim gjatë këtij muaji”, tha ai.

Sipas këtij Projektligji, përfitues të këtij statusi të veçantë janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zëvendësdrejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip, institucionet, organet dhe institutet e tjera që kanë qenë pjesë e arsimit të kësaj periudhe.

Po ashtu, përfituesit e këtij Projektligji janë të ndarë në dy grupe:  Grupi i parë janë mësimdhënësit që kanë punuar prej 5 deri në 10 vite dhe grupi i dytë prej 1 deri në 5 vite. Grupi i parë do të marrë 75 për qind të pagës kurse grupi i dytë 28 për qind.

Gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji zbatimi i tij dhe implikimet buxhetore kishin  ngritur debate dhe vërejtje nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe ato në Kosovë.