Projektligji për mësimdhënësit e viteve 1990 merr ‘bekimin’ e Komisionit për Integrime

Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990-1999 është dërguar në Kuvend nga Komisioni Parlamentar për Integrime Europiane, duke konstatuar se nuk ka ndonjë shpërputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Nënkryetari I këtij komisioni, Armend Zemaj (LDK) tha se ky projektligj është i duhur pasi u njeh mundin që kanë bërë arsimtarët gjatë atyre viteve, duke shtuar se “njohja e statusit të tyre është tej zgjatur tash e disa vite”.

Anëtari i Komisionit për Integrime, Ismajl Kurteshi (VV) njëherit edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim tha se bashkësia ndërkombëtare ka njohuri për këtë ligj pavarësisht kritikave të tyre.

“Gjatë punës në Komisionin për Arsim ne kemi mbajtur debate në lidhje me këtë projektligj. Aty kanë qenë të ftuar të gjitha palët, si Ministria e Financave ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale po edhe të gjitha organizatat ndërkombëtare, edhe pse një pjesë e tyre nuk e kanë përkrahë për shkak të implikimeve buxhetore, ky ligj është i njohur për ta”, tha Kurteshi.

Kurse, anëtari tjetër i këtij komisioni, Milaim Zeka (NISMA), tha se kohëve të fundit janë duke u aprovuar shumë kërkesa nga sindikatat dhe shoqata e ndryshme që, sipas tij, po e rëndojnë buxhetin e Kosovës.

“Unë nuk jam kundër këtij projektligji por kështu si ia kemi nis kemi me bankrotu shtetin, sepse kohëve të fundit jemi duke aprovuar shumë kërkesa nga të gjitha anët prej të gjitha sindikatave dhe shoqatave të ndryshme vetëm për faza kalimtare dhe nuk po I analizojmë veprimet, megjithatë i kuptoj brengat e arsimtarëve”, tha Zeka.

Në prill të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte dalë me qëndrim kundër këtij projektligji.

Sipas shefit të Zyrës së FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen, projektligji nuk duhet të kalojë.

“….Ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, kishte thënë Veremulen për KALLXO.com.

Mësime në Rezistencë: Sistemi Paralel i Arsimit në Kosovë në Vitet ‘90

Visar Ymeri nga PSD tha se Komisioni për Integrime Europiane nuk është përkatës për vlerësimin e këtij projektligji por, sipas tij, arsimtarët e meritojnë njohjen e kontributit që e kanë bërë gjatë viteve ’90-ta.

“Ne duhet të kemi kujdes me të drejtat që po ua japim shtresave të ndryshme të shoqërisë, si me veteranët dhe shumë pensione të tjera sepse kjo e mundon buxhetin. Por mendoj se problem nuk është vetëm te kjo kategori por edhe tek të tjerat që duhet ta rregullojmë njohjen e kontributeve me një kod pensional”, tha ai.

Ai po ashtu shtoi se mësimdhënësit duhet të fokusohen më shumë në rritjen e koeficientit në projektligjin për paga, gjë të cilën ai e kërkoi që të ulet paga e presidentit sipas këtij projektligji.

Kurse Ismet Beqiri nga LDK tha se falë mësimdhënësve të viteve ’90-ta “sot flasim e shkruajmë shqip”.

Anëtari i këtij komisioni nga PDK, Zenun Pajaziti tha se secili deputet ua ka borxh njohjen e kontributet të këtyre mësimdhënësve, sepse janë bërë shumë premtime nga të gjitha partitë.

“Unë mendoj se ky ligj nuk duhet të kthehet prapa sepse në foltoren e Kuvendit secili prej nesh ka dhënë përkrahje për këtë kategori dhe madje edhe gjatë zgjedhjeve janë bërë premtime”, tha Pajaziti.

Kurse sipas anëtares të VV-së, Fatmire Kollçaku, mungesa e reformave pensionale po vazhdon të jetë problem kryesor pse shumë kategorive nuk u njihet kontributi.

Komisioni për Integrime Europiane po ashtu ka miratuar edhe Projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe tri ligje të përkrahjes për sportin, të cilat sipas anëtarëve nuk janë në kundërshtim me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Projektligji për mësimdhënësit e viteve ’90-ta është premtuar tashmë e disa vite nga ana e deputetëve të Kuvendit, por ende nuk është miratuar për lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi pati thënë për KALLXO.com se ky projektligj pasi të marrë miratimin e komisioneve të Kuvendit të Kosovës do të dërgohet në Kuvend për lexim të dytë.

Gjatë shqyrtimit të këtij Projektligji zbatimi i tij dhe implikimet buxhetore kishin  ngritur debate dhe vërejtje nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe ato në Kosovë.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me këtë çështje:

https://kallxo.com/kerkohet-pershpejtim-i-procedurave-per-projektligjin-per-mesimdhenesit-e-viteve-90/