Sami Lushtaku Ndërpret Grevën

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ndërprerë grevën që e ka nisur ditë më parë, pasi që kryetari i trupit gjykues në rastin e tij, ka miratuar kërkesën e tij për trajtim të specializuar mjekësor në QKUK.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati i tij, Arianit Koci.

“Klienti im ka ndërprerë grevën. Kryetari i trupit gjykues ka miratuar kërkesën tonë që ai të ketë trajtim mjekësor specialistik në QKUK për 24 orë në ditë“ tha avokati për KALLXO.com.

Sami Lushtaku ka nisur grevën me pretendimin se në burgun e sigurisë së lartë në Dyz nuk e kishte trajtimin e duhur mjekësor.

Vitin e kaluar, Lushtaku është dënuar me 12 vite burgim nën akuzën për krime lufte nga një trup gjykues ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicë për vrasjen e një personi të panjohur në vitin 1998 në mes të fshatit Galicë dhe Dubovc të Vushtrrisë.