Rrëfimi i Zenel Dushicës për rrahjen nga Policia në Gjilan

Në gjykatën e Gjilanit, ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve Zenel, Muharrem e Izat Dushica nga Gjilani, për shkak se dyshohen që kanë kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Po ashtu të akuzuar janë edhe policët Fatlum Shabani për shkak të veprave penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe lëndim i lehtë trupor, si dhe Emin Rrahimi e Jeton Ramadani për shkak se dyshohen që kanë kryer veprën penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Pasi u bë shikimi i video-inçizimeve të marra nga Spitali Regjional i Gjilanit, i akuzuari i parë, Zenel Dushica ka rrëfyer për ngjarjen kritike, se si ishte ndaluar nga një patroll e policisë afër qendres tregtare ETC, për shkak se kishte qenë duke përdor telefonin në veturë.

Më pas ai tregoi se polici Fatlum Shabani e kishte ndalur dhe pasi ia kishte marrë dokumentet i kishte shqiptuar një tiketë. Zeneli më tutje tregoi se derisa ishte duke pritur dokumentet nga polici,  kishte filluar një acarim dhe sjellje e dhunshme e policit Fatlum Shabani në momentin kur ia kishte kthy dokumentet.

“Ai më tha unë jam Fatlum Shabani i Kranidellit, më ka mëshuar boks afër veshit në kokë në anën e majtë. Dhe më pas, mi ka kap duart, e ka qelë derën dhe më ka nxerr pi kerrit… mi kanë vnu prangat të dytë policët Fatlumi e Agroni dhe më kanë futur në automejtin e tyre. Fatlumi u hi në veturë ul mbrapa meje, dhe ma ka laku kryet te poshtë dhe ka vazhdu mem sjellë mas qafës tërë kohën me grusht deri në stacion të policisë”, deklaroi Zenel Dushica.

Më tej, Zenel Dushica, rrëfeu edhe për dhunën që kishte pësuar brenda sallës në emergjencën e spitalit të Gjilanit.

“Tani ka ardhë Arbnor Rashiti në emergjencë, mi vnoi prangat dhe më ka thënë duhet të vish me neve, dhe unë pa rezistuar kam shkuar me të, kur jam dalë jashtë emergjencës, aty ish kan t`u pritë Fatlum Shabani, i cili ka bërtitur “oh nonen ktina, motrën, grujen” dhe ka fillu mem ra shkelmë çka ka mujtë në barkë, tani kanë fillu mem ra nga mbrapa, por nuk e kam pa se kush, sepse më ka rënë të fikët, veç kur e kam pa vetën në kerr të policisë afër stacionit Policor, ku kishte qenë edhe vëllau im Izati dhe aty prapë ia kanë nisë mem ra”, deklaroi Zenel Dushica.

Zeneli pastaj përshkruajti rrahjen që sipas tij kishte pësuar në stacion policor pasi e kishin kthyer nga emergjenca e spitalit të Gjilanit.

Sipas tij, “Polici Fatlum Shabani pasi e ka fikur dritën, kanë fillu mem rreh edhe Fatlumi e Jetoni, me grushta në krejtë pjesët e trupit. Kurse unë nga dhimbjet që kisha, jam qu në këmbë me një raftë të metalit, e kam mbështetur ftyrën, ku është kthyer përsëri Fatlumi dhe më ka goditur me shkelëm ku ka mujtë pa u ndalur hiq.  Pastaj u ardhë Arbnor Rashiti në zyre për të më marrë deklaratën, unë i kam thënë që s’jam në gjendje me dhënë se jam shumë keq me dhimbje, por ai ka vazhduar të ma marrë deklaratën”, tha Zeneli.

Kurse Muharrem Dushica më tutje tregoi se pasi e kishin çuar vëllaun në emergjencë, aty pas disa minutash, kishin ardhur dy policë dhe kanë pyet kush o Zeneli ktu, e pastaj kanë pyet vëllaun kush të ka pru ty këtu.  

“Me të dëgjuar këtë, kemi hyrë unë dhe vëllau Izati dhe kemi thënë se ne e kemi sjellur, ndërsa njëri polic që emrin nuk ia di, na ka hudhur sprej ftyrës e i ka thënë Izatit vëllaut mbylle gojën, se tashti ju qoj poshtë e ju kallxoj qejfin”, tha Muharrem Dushica.

Ai më tej tregoi për momentin kur u arrestua dhe rrahjen që thotë se iu ka bërë atij dhe vëllaut.

“Më kanë futur në automjet të policisë dhe deri sa kam qëndru në kerr unë, e kam pa Fatlumin duke e sulmuar vëllaun Zenelin, nuk e di saktë se si, por vetëm e kam parë dhe dëgjuar britmat e vëllaut Zenelit. Tani më kanë dërguar në stacionin policor në Gjilan, aty brenda më kanë futur pastaj në dhomë, ku më kanë lënë njo  5 a 6 min, dhe pastaj ka ardhë Fatlumi me nja dy policë tjerë dhe më ka goditur në barkë me gju të këmbës”, tha mes tjerash Muharem Dushica.

Në aktakuzat e prokurorisë përfaqësuar nga prokurorja Leonora Kadriu Misini thuhet se:

Zenel Dushica akuzohet se kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar, sepse ka sulmuar policin Fatlum Shabani.

Sipas aktakuzës i pandehuri ishte duke drejtuar automejtin e markës BMË, gjatë kohës sa ishte duke biseduar me telefon-celular, i njëjti ndalet nga polici për shkak të kundërvajtjes së shkaktuar në trafik dhe gjatë shqiptimit të gjobës nga policia në shenjë revolte fillimisht fyen zyrtarët e policisë me fjalët “ti koke i pa shkollë, qe një sahat je duke e shkruar një tiketë, ju këtë mundësi e keni dhe nuk mundeni të bëni më shumë”, pastaj pa leje të policisë, me automjet e bën një rreth qarkullim prej 360 dhe përsëri kthehet te vetura zyrtare e policisë, e ndalë veturën dhe i kanosë fjalë “shihemi dhe nuk do të mbetet me kaq kjo punë”.

Më pas gjatë arrestimit në aktakuzë thuhet se ka rezistuar me forcë, me ç’rast me shkelmë e ka goditur me këmbë nën gju policin- tani të dëmtuarin Fatlum Shabanin, duke i shkaktuar të njëjtit lëndim të lehtë trupor, i cili për shkak të natyrës së lëndimit është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjilanit.

Zenel, Muharrem dhe Izat Dushica akuzohen se në bashkëveprim, si bashkëekzekutorë kanë kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtarë sepse në repartin e emergjencës në spitalin regjional Gjilan, i sulmojnë personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, në atë mënyrë që perderisa zyrtarët e policisë, Emin Rrahimi dhe Jeton Ramadani sipas urdhëresës së shefit të tyre kishin shkuar për të kontaktuar me mjekun dhe marrë raportin mjekësor për të pandehurin Zenel Dushica, me ç’rast në sallë kishin hyrë dy vëllezrit e Zenelit, Muharremi dhe Izati të cilët sipas aktakuzës refuzojnë urdhëresën e policit që të dalin jashtë.

Sipas akuzës, Zeneli, nga prapa e kapë dhe e shtrëngon në qafë të dëmtuarin Emin Rrahimin, ndërsa Izati dhe Muharremi, të njëjtin e kapin për duar. Pas kësaj polici Jeton Ramadani për ta ndihmuar Eminin, që i njëjti të lirohet detyrohet të iu hedhë sprej për të vënë nën kontrollë situatën. Ndërsa në këtë moment i pandehuri Zeneli, del nga salla, tenton të e kapë një karrike për t’i sulmuar policinë, por pengohet nga polici Jeton Ramadani. Në fund pasi  arrinë njësia tjetër e policisë  të njëjtit arrestohen dhe sjellen në SP Gjilan. Sipas akuzës nga ky sulm, lëndime të lehta trupore pësojnë dy policët Jeton Ramadani dhe Emin Rrahimi, si dhe dy të pandehurit Muharrem e Izat Dushica, të cilët për shkak të natyrës së lëndimeve të pësuara detyrohen të kërkojnë ndihmë mjekësore në SP Gjilan.

Emin Rrahimi dhe Jeton Ramadani akuzohen për shkak të veprës penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, sepse, në cilësinë e personave zyrtar si zyrtar policor, me dashje të drejpërdrejtë, duke qenë të vetëdijshëm se me veprimet e tyre, gjatë ushtrimit të detyrës po e cenojnë dinjitetin e të dëmtuarëve Zenel, Izat e Muharrem Dushica, në spitalin regjional të Gjilanit.

Përderisa i dëmtuari Zenel Dushica ka qenë duke pritur për të marrë tretman mjeksor nga mjeku, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga polici Fatlum Shabani, ndërsa të dëmtuarit Izat dhe Muharrem ishin në shoqerim të tij në dhomën e emergjencës kanë hyrë aty, fillon një fjalosje verbale mes tyre, e më pas dy të pandehurit me forcë, duke i shtyer fillimisht me duar e më pasë edhe duke i fyer, i qesin të dëmtuarit nga dhoma, në korridor të emergjencës, ku  i pandehuri Jeton Ramadani, përdorë shufrën duke e goditur të dëmtuarin Zenel në duar e krahë, ndërsa i pandehuri Emin Rrahimi u qet sprej syve të dëmtuarëve Izat dhe Muharrem Dushicës deri sa arrinë t`ua vëjnë prangat, t’i arrestojnë dhe dërgojnë SP Gjilan, ku si pasojë e këtyre veprimeve të pandehurit me vetëdije kanë cenuar dinjitetin e të dëmtuarëve.

Polici Fatlum Shabani akuzohet për shkak të veprave penale: keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndim i lehtë trupor, sepse gjatë ushtrimit të detyrave  dhe autorizimeve publike ka keqpërdorë detyrën dhe autorizimet zyrtare në atë mënyrë që përderisa të dëmtuarin Zenel Dushica  e kishte ndalë, për një kundërvajtje dhe gjatë kohës sa i shqiptonte një tiketë, për shkak të mosbindjes ndaj urdhërave të policisë e arreston dhe e prangosë, dhe gjatë transportimit të të njëjtit për në Stacionin policor, ka përdorur forcë ndaj tij, të cilin edhepse i prangosur e ka goditur disa herë, në pjesë të ndryshme të trupit dhe pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar të njëjtit lëndime të lehta trupore. Me ç’rast i dëmtuari pasi ishte intervistuar nga policia kishte kërkuar që të dërgohet për ndihmë mjekësore në emergjencën e SP Gjilan, mirëpo këtë ndihmë, nuk ia kishin ofruar.

Gjykimi ndaj të akuzuarëve për sulm ndaj personit zyrtar dhe keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare