Foto: Lista Serbe, Kllokot/Facebook

Dosja e Prokurorisë: Si kërcënoheshin serbët që ta votonin Listën Serbe më 6 tetor

Dy zyrtarë të komunës së Kllokotit kanë dalë para gjykatës në Gjilan të mërkurën për t’u përgjigjur në akuzat se po u bënin presion qytetarëve lokalë serbë që të votojnë Listën Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Zyrtari i komunës së Kllokotit, Zharko Dejanoviq, dhe asistenti i tij, Vllasta Bogdanoviq, nuk e pranuan fajësinë kur u pyetën rreth akuzave të ngritura nga prokurori Agron Uka

Avokati Ilmi Qerimi tha se brenda afatit ligjor do ta bëjë kudnërshtimin e aktakuzës ndërsa kërkoi që të akuzuarit të lirohen nga paraburgimi.

“I propozoj gjykatës që të ndërpresë masën e paraburgimit për dy të akuzuarit pasi që janë plotësuar kushtet ligjore për çka ishte caktuar kjo masë”, tha avokati Qerimi.

Të akuzuarit u pajtuan me deklaratën e avokatit ndërsa kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, vendosi që t’ua ndërpresë atyre masën e paraburgimit.

“Gjykata konsideron se kanë pushuar arsyet për çka edhe ishte caktuar paraburgimi, andaj ndërpritet kjo masë nga dita e sotme”, tha Haziri duke kumtuar vendimin për të cilin prokurori pati vërejtje.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet gjatë nëntorit.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Zharko Dejanoviq dhe Vllasta Bogdanoviq nga data 26 shtator deri më 2 tetor, në fshatin Vërbovc dhe Gërnqar të Komunes së Kllokotit, në vazhdimësi kanë kanosur të dëmtuarit Ognjen Krqmareviq, Sreçko Kojiq dhe Jelica Krqmareviq.

Foto: Kallxo.com

Ata akuzohen se përderisa ishin ne veturë zyrtare të komunës, e kishin ftuar të dëmtuarin Sreçko Kojiq, duke i kërkuar të hyjë në veturë pa dëshirën e tij dhe kishin filluar të bisedojnë për zgjedhjet, duke i kërkuar që të kthehet në krahun e Listës Serbe dhe të heqë dorë nga Partia e Pavarur Liberale (SLS).

Aktakuza thotë se kur janë afruar tek udhëkryqi afër fshatit Gjylekarë pasi të akuzuarit e kishin ngadalësuar veturën për shkak të disa pengesave në rrugë, i dëmtuari kishte arritur të dalë nga vetura.

Aktakuza gjithashtu thotë se dy të akuzuarit ia kishin kontrolluar veturën të dëmtuarit Ognjen Krqmareviq duke u interesuar nëse brenda saj kishte material zgjedhor kundër Listës Serbe.

Prokuroria thotë se Dejanoviq dhe Bogdanoviq e kishin kërcënuar Krqmareviqin duke i thënë se nëse nuk voton për Listën Serbe “do të ndodh pastrim”.

Aktakzua gjithashtu thotë se më 30 shtator, të dëmtuares Dr. Jelica Krqmaroviq, nëna e të dëmtuarit Ognjen Krqmareviq, pas 36 viteve përvojë pune, i është ndërprerë kontrata e punës nga Drejtoria për Shëndetësi në Pasjak vetëm pse ka qenë përkrahëse e partisë SLS nën udhëzimet e të akuzuarit Zharko Dejanoviq i cili është edhe vëllai i kryetarit të Komunës së Kllokotit.

Lista Serbe ka fituar mbi 95% të votave të serbëve të Kosovvs më 6 tetor ndvrsa është raportuar se ka arritur t’i sigurojë 10 deputetë në mandatin e ardhshëm në Kuvendin e Kosovës.