Nis nga fillimi gjykimi i zyrtarëve të Novobërdës të akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Goran Maksimoviq, Drejtor i Urbanizmit në Novobërdë dhe Selatin Beqiri, zyrtar i kësaj Drejtorie, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me akuzën e Prokurorisë e cila i akuzon se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Shqyrtimi i sotëm nisi nga fillimi pasi që për shkak të pandemisë, nga seanca e parë kishin kaluar më shumë se tre muaj.

Në seancë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, duke konsideruar se nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Goran Maksimoviq ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Novobërdës, me 19 prill 2018, në kundërshtim me Ligjin për ndërtim ka lëshuar pëlqim për ndërtim të objektit “Fermë e Derrave” në emër të personit Dushan Maksimoviq.

Ky pëlqim sipas Prokurorisë ishte dhënë për pronën që nuk ka qenë në emrin e këtij personi, por në emër të gjyshit të tij.

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri i ka mundësuar Dushan Maksimoviqit përfitim në vlerë prej 66,360 euro.

Tutje sipas aktakuzës, Selatin Beqiri si shef i Drejtorisë së Urbanizmit i ka keqpërdorur detyrat e tij zyrtare duke lëshuar lejen ndërtimore për objektin e lartpërmendur (Fermë e Derrave), në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.

Në seancën e sotme  u dëgjua dëshmitari Ramadan Ramadani, i cili është zyrtar policor.

“Gjatë kontrollimit të dosjes kemi parë se pëlqimi i dhënë nga Goran Maksimoviq, bie në kundërshtim me ligjin. Pastaj gabimin e njëjtë e bën edhe Selatin Beqiri, duke e lëshuar lejen e ndërtimit për fermën e njejtë e cila ka kapur shifrën prej 63.000 eurove. Unë gjatë hetimit nuk kam vërejtur se Goran Maksimoviq ka përfituar  para ose diçka tjetër për vete por për personat e tjerë po”, përfundoi dëshminë e tijë Ramadan Ramadani.

Dëshmitari tjetër, Dushan Maksimoviq  i cili ka qenë përfitues i grantit për ndertimin e fermës tha se të gjitha dokumentet i ka pasur në rregull dhe se ai ka qenë ndër dhjetë aplikuesit me dokumentat më të rregulluara.

Për shkak të angazhimit të gjykatësit Agim Ademi në një seancë tjetër, seanca e sotme u shty për 26 nëntor.

Ndërpritet gjykimi i zyrtarëve të komunës së Novobërdes