Gjykimi për lejen e kundërligjshme të fermës së derrave në Novobërdë

Selatin Beqiri dhe Goran Maksimoviq, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve nën  akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirëpo, seanca ndaj tyre ka dështuar të mbahet pasi në gjykatë ka munguar përkthyesi gjyqësorë.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Goran Maksimoviq, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Novobërdës, me 19 prill 2018, në kundërshtim me Ligjin për ndërtim ka lëshuar pëlqim për ndërtim të objektit “Fermë e Derrave” në emër të personit Dushan Maksimoviq.

Ky pëlqim sipas Prokurorisë ishte dhënë për pronën që nuk ka qenë në emrin e këtij personi, por në emër të gjyshit të tij.

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri i ka mundësuar Dushan Maksimoviqit përfitim në vlerë prej 66 mijë e 360 euro.

Tutje sipas aktakuzës, Selatin Beqiri si shef i Drejtorisë së Urbanizmit i ka keqpërdorur detyrat e tij zyrtare duke lëshuar lejen ndërtimore për objektin e lartpërmendur (Fermë e Derrave), në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.

Kryetari i trupi gjykues Zyhdi Haziri tha se: “Pasi që njëri nga të  akuzuarit është i nacionalitetit Serb, dhe Gjykata nuk ka përkthyes gjyqësor (për momentin) pasi që njëri nga përkthyesit është në pushim dhe tjetri në Gjykatën e Novobërdës, nuk ka kushte për vazhdimin e seancës së sotme”.

Seanca që është dashur të mbahet sot, u shtye për muajin mars.