Reagimet pas dënimit me burg të përjetshëm për Radovan Karaxhiqin

Pas vendimit të Tribunalit të Hagës për të dënuar me burg të përjetshëm, ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, kanë ardhur edhe reagimet e para.

Zheljko Komsiq, anëtar kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës, tha se vendimi për dënimin e Karaxhiqit ishte niveli minimal i drejtësisë për viktimat.

“Ky vendim mbetet si një dëshmi e përhershme me shkrim dhe një mësim për gjeneratat që do të vijnë, që asnjë krim të mos mbetet i pandëshkuar,” tha Komsiq në një njoftim për shtyp.

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq e përshkroi vendimin si vendim përfundimtar për njeriun përgjegjës për përpjekjen për të krijuar një “Serbi të Madhe”.

“Vendimi nuk mund të kthejë jetën e dhjetëra mijëra viktimave dhe të lehtësojë vuajtjet e familjeve të tyre dhe të mbijetuarve, por duhet të shërbejë si një paralajmërim i përhershëm”, tha Grabar-Kitaroviq për gazetën e përditshme kroate ‘Vecernji List’.

Kolinda Grabar Kitaroviq, Presidente e Kroacisë

Kurse, Aleanca e Bosnjës për një të Ardhme më të Mirë, partia SBB tha se jeta në burg ishte i vetmi dënim adekuat dhe i justifikuar për Radovan Karaxhiqin.

“Përbindëshi do të vazhdojë të jetojë, por viktimat e tij dhe viktimat e gjenocidit nuk do të kenë kurrë mundësi të vazhdojnë jetën e tyre”, tha në një deklaratë për shtyp SBB, një nga partitë më të forta boshnjake.

Pas vendimit të Tribunalit të Hagës, Nermin Nikshiq, kryetarja e Partisë Social Demokratike të Bosnjë dhe Herzegovinës, SDP BIH, gjithashtu përshëndeti vendimin e sotëm.

“Vendimi përfundimtar për Radovan Karaxhiqit është një ngjarje e rëndësishme për Bosnjën dhe të gjithë qytetarët e saj, veçanërisht për familjet e viktimave të agresionit, gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës të kryera në Bosnje”, tha Niksiq për Klix.ba, një faqe me lajmeve në Sarajevë.

Ndërsa Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, një OJQ serbe, tha se vendimi për Karaxhiqit thekson detyrimin e Serbisë për të njohur masakrën e Srebrenicës si gjenocid.

“Serbia, institucionet dhe zyrtarët e saj duhet të ndalojnë mohimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe relativizimin e krimeve të tjera të luftës në Bosnje dhe Herzegovinë, më në fund të miratojnë një deklaratë mbi gjenocidin e Srebrenicës dhe të respektojnë maksimalisht viktimat e gjenocidit dhe krimet e luftës në Bosnjë”, tha YIHR në një deklaratë për shtyp.

Murat Tahiroviq, kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, mirëpriti dënimin e përjetshëm.

“Drejtësia e plotë nuk është e mundur, por është kënaqësi për viktimat”, tha Tahiroviq për N1 TV.

Në shpallje të verdiktit, gjykatësi tha se të gjitha pikat e akuzës së shkallës së parë janë konfirmuar përveç disa incidenteve në aktakuzë në më shumë se 20 komuna gjatë luftës në Bosnjë.

Dhoma e Apelit është pajtuar me konkluzionin e prokurorëve se lartësia e krimeve të kryera është shumë më e madhe se dënimi prej 40 viteve të dhëna ndaj Karaxhiqit në shkallën e parë, të shpallur në vitin 2016.

Në vendimin e shkallës së parë në mars të vitit 2016, Karaxhiq u dënua me 40 vjet burg pasi u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës me një fushatë të gjatë bombardimi dhe sulmesh me snajpera, si edhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai u lirua nga akuzat për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Si mbrojtja dhe prokuroria kanë apeluar kundër vendimit të vitit 2016.

Prokurorët argumentuan se Karaxhiqi duhet të shpallet fajtor edhe për gjenocid në vitin 1992 dhe të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja kërkoi që ai të lirohej në të gjitha akuzat, duke insistuar që ai nuk pati një gjykim të drejtë në shkallën e parë.

Dhënia e vendimit do të fillojë në orën 14:00 me orën lokale në Hagë. Megjithatë, duke u larguar nga praktika e zakonshme në gjykatën e Hagës, vendimi nuk do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e internetit të gjykatës.

Në vend të kësaj, gjykata do t’i transmetojë procedurat me vonesë kohore prej 30 minutash.

Vendimi do të transmetohet me këtë vonesë kohore për arsye sigurie, pas vetëvrasjes në sallën e gjyqit të ish-gjeneralit kroat të Bosnjës, Slobodan Praljak, i cili piu helm ndërsa jepej vendimi për të, drejtpërdrejtë në faqen e internetit të gjykatës në nëntor 2017.

Praljak, i cili u gjet fajtor për persekutim të civilëve në disa komuna në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës dhe vdiq menjëherë pas kësaj.

Më shumë se 250 përfaqësues mediash janë akredituar për vendimin e ditës së mërkurë, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës në Bosnje dhe nga disa mbështetës të Karaxhiqit.

Radovan Karaxhiq dënohet me burg të përjetshëm

VIDEO – Gëzimi i familjeve të viktimave pas dënimit të Karaxhiqit me burg të përjetshëm

.