FSK - Foto: REL

Ramadani reagon pas paralajmërimeve të NATO-s për FSK-në

Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar  pas deklarimeve që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili ka thënë se Kosova do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e FSK-së në ushtri.

Me këtë rast Ramadani ka thënë se nuk ka vend për konfuzion pasi që transformimi i FSK-së është në përputhje me direktivat e NATO-së.

“Nuk ka vend fare për konfuzion. Transicioni i FSK-së është në përputhje me angazhimet bilaterale dhe multilaterale të Kosovës me shtetet anëtare të NATO-s, sikurse edhe me Selinë Qendrore të NATO-s. Duhet të kuptojmë vështirësitë e NATO-s për konsensus për shkak të shteteve jonjohëse aty. Ne fatkeqësisht nuk kemi pasur qasje direkte në kryeqytetet e disa prej këtyre shteteve jonjohëse për t’ia shpjeguar procesin dhe planin e Kosovës” ka shkruar Ramadani në Facebook.

Burim Ramadani, ZV. Ministër i FSK-së

Tutje Ramadani ka thënë se Kosova mirëpret angazhimin e NATO-së për transicionin 10 vjeçar të FSK-së.

“Sidoqoftë, ne mirëpresim thellimin e angazhimit të NATO-s në Kosovë, përmes NALT-it dhe Bashkëveprimit të Zgjeruar. KFOR-i po ashtu do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe do të thellohet bashkëpunimi. Transicioni i FSK-së është proces legjitim dhe gradual. Pas miratimit të ligjeve, FSK do të ketë transicion 10 vjeçar për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale”, ka theksuar ai.

Sipas tij e ardhmja e Kosova dhe FSK është e gatshme që krah për krah me ushtritë e shteteve anëtare të NATO-s të ndihmojë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajone të ndryshme nëpër botë.