Qeveria nuk do Vonesa të Mëtejme të Liberalizimit

Qeveria e Kosovës me anë të një komunikate ka dhënë qëndrimet e saj rreth konkluzioneve të Këshillit të BE-së.

Qeveria përshëndet konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian mbi Zgjerimin, duke konsideruar se ato përshkruajnë një vit të rëndësishëm për integrimet evropiane të Kosovës.

“Këto konkluzione vulosin faktin që Kosova ka pasur një vit të suksesshëm në aspektin e integrimit evropian dhe rikonfirmojnë përkushtimin e të gjithë shteteve anëtare të BE-së për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës,” thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Qeveria në komunikatë vlerëson edhe ato që thuhen për MSA-në.

“E mirëpresim faktin që Këshilli e thekson nënshkrimin e MSA-së si një marrëveshje të parë gjithëpërfshirëse mes BE-së dhe Kosovës. Përshëndesim thirrjen e shteteve anëtare për të konkluduar MSA-në, që ajo të hyjë në fuqi dhe të fillojë së zbatuari,” vijon komunikata.

Por në komunikatë qeveria kërkon që liberalizimi i vizave të mos shtyhet.

“Qeveria pret që liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të bëhet realitet pa vonesa të mëtutjeshme. Qeveria është në pritje të publikimit të raportit të fundit vlerësues të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, e cili duhet të pasohet me rekomandimin për liberalizimin e vizave brenda një periudhe të shkurtër kohore,” kërkon qeveria.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi ishin më të ashpër në lidhje me konkluzionet rreth liberalizimit në mbledhjen e sotme të qeverisë.http://kallxo.com/thaci-permend-protesta-para-zyres-se-be-se/