Reagim i Universitetit të Prishtinës: Isa Mustafa s'ka marrë rrogë si profesor që nga viti 2016

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka reaguar ndaj lajmeve që janë publikuar nëpër disa media se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është paguar si profesor pa mbajtur mësim.

Në reagim thuhet se për Mustafën nuk është ekzekutuar asnjë pagesë nga Universiteti i Prishtinës që nga dhjetori i vitit 2016.

“Me anë të këtij sqarimi për medie dhe për opinion publik, informoheni që profesor Isa Mustafës nuk i është ekzekutuar asnjë pagesë nga UP-ja që nga dhjetori i 2016-tës. Universiteti i Prishtinës mbetet i hapur për bashkëpunim me mediat dhe akterët e tjerë, për të hedhur dritë në të gjitha çështjet me interes për opinionin”, theksohet në sqarim.

Mustafa ishte zgjedhur profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik në vitin 2011.