Pamje nga takimi ku u diskutua për blerjen e helikopterëve për nevojat e shtetit të Kosovës - Foto: ZKM

Qeveria Nis Procedurat për Blerjen e Helikopterëve

Kryeministri Isa Mustafa ka caktuar një ekip ndërministror i cili ka punuar në identifikimin e nevojave shtetërore dhe krijimin e kushteve për blerjen e helikopterëve për t’iu përgjigjur nevojave të Republikës së Kosovës.

Në takimin e mbajtur sot, ku të pranishëm ishin zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, ministrat Haki Demolli, Imet Rrahmani, Skender Hyseni, komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtnant, Rrahman Rama si dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, ekipi ndërministror ka prezantuar para kryeministrit Isa Mustafa vlerësimet adekuate rreth kësaj çështje, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.

“Pas diskutimeve gjithëpërfshirëse, u vendos që të adresohen çështjet procedurale dhe që të vendosen kontaktet me kompanitë prestigjioze për blerjen e helikopterëve”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas njoftimit, kryeministri Isa Mustafa theksoi se pajisja e institucioneve shtetërore me helikopterë dhe ngritja e kapaciteteve ajrore, që nuk kanë ekzistuar deri më tani, është domosdoshmëri për t’u përballur me situata të emergjencave civile apo situatave të tjera brenda vendit.

“Institucionet kompetente kanë shprehur përkushtimin që të punohet intensivisht që kjo çështje të adresohet në përputhje me nevojat dhe me kapacitetet financiare, dhe që vendi të pajiset me helikopterë të cilët do të jenë në shërbim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe shpëtimit të jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksohet në këtë njoftim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kishte paralajmëruar në janar se Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë “shumë shpejt” mund të pajisen me helikopterë.

http://kallxo.com/ministri-hyseni-flet-per-blerjen-e-helikoptereve-per-policine/

Për çështjen e pajisjes së Policisë me helikopterë është diskutuar qysh më 2011.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, kishte thënë për KALLXO.com se në fillim të mandatit të tij e ka parë të arsyeshme dhe të pashmangshme të punojë në jetësimin e një njësie të helikopterëve që, sipas tij, padrejtësisht i mungon Policisë së Kosovës.

Sa i përket blerjes së helikopterëve, Ibishi kishte thënë se në projekt i kanë planifikuar 11 milionë euro për vitin 2013, ndërsa 14 milionë të tjerë për vitin 2014.

http://kallxo.com/kur-do-te-fluturoje-policia-e-kosoves-me-helikoptere/