
Ilustrim
Dy helikopterë përplasën në ajër, 4 persona vdesin në Australi (VIDEO)
Katër persona kanë vdekur pas një përplasjeje në ajër mes dy helikopterëve në afërsi Seaworld në Bregun e Artë të Australisë.
Policia e Queensland thotë se hetimet fillestare tregojnë se përplasja ka ndodhur teksa njëri po ngrihej dhe tjetri po zbriste, raporton BBC.
Personat që vdiqën po udhëtonin me të njëjtin helikopter. Ndërsa, tre pasagjerë të tjerë janë në gjendje kritike.
Pesë nga gjashtë personat në helikopterin tjetër, i cili bëri një ulje emergjente, pësuan lëndime të lehta.
Byroja Australiane e Sigurisë së Transportit (ATSB) po heton përplasjen, e cila ndodhi rreth orës 14:00 me orën lokale.
Dy helikopterët u rrëzuan pranë një brezi turistik të njohur si Main Beach, rreth 75 kilometra në jug të Brisbane.
“Është një skenë e vështirë. Për shkak të zonës që ndodhet, në bregun e rërës, ishte e vështirë për të fituar qasje, për të çuar shërbimet tona të urgjencës në vendngjarje për ta menaxhuar atë siç duhet”- ka thënë Gary Worrell i Shërbimit Policor të Queensland.
Imazhet nga vendi i ngjarjes tregojnë copëza të shpërndara rreth zonës së aksidentit dhe një helikopter të dëmtuar me pjesën e helikave të kthyera poshtë përballë resortit Seaworld.
Helikopteri tjetër ka logon e parkut popullor detar dhe duket se ka bërë një ulje emergjente pas përplasjes.