Qeveria ndërron statutin e Trepcës

Qeveria e Kosovës përmes një vendimi të ri qeveritar e ka ndërruar statutin e ndërmarrjes Trepça.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes Trepça ka ndërruar statutin.

“Ky statut propozohet nga bordi i ndërmarrjes dhe i njëjti miratohet nga Kuvendi. Janë marrë parasysh te gjitha kërkesat”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri  Enver Hoxhaj kërkoi sqarim për adresimin e aseteve.

“Si e shihni adresimin e aseteve?. Puna është bërë e mirë, por do t’i duhet kuvendit edhe disa javë që ta bëjnë një punë të tillë”, tha ai.

Ndërsa Ministri Lluka tha se do të bëhet vlerësim i aseteve.

“Asetet janë bazuar në një studim të fizibilitetit. Do bëhet edhe një vlerësim për vlerën e këtyre aseteve që do të paraqiten në certifikatën e biznesit të Trepçës”, u përgjigj Lluka në pyetjen e Hoxhajt.

Ministri i financave Bedri Hamza përmendi të metat e këtij statuti duke u shprehur skeptik në funksionimin e tij si të tillë.

“Por ky dokument është dashur ta ketë standardin e një dokumenti siç është statuti i një ndërmarrje. Të merren praktikat e ndërmarrjeve jashtë Kosovës. Të krahasohet me statutin e korporatave financiare në Kosovë. Do të ketë problem në zbatim. Besoj që në Kuvend do të trajtohet mirë. Por kush janë aksionarët. Janë Qeveria dhe punëtorët. Kush i përfaqëson punëtorët, të gjithë”, ka thënë ai.

Ndërsa ministri Lluka tha që për këtë status janë marrë modele të ndryshme .

“Statuti i paraqet dhe i plotëson kërkesat. Sa i përket përfaqësimit të punëtorëve është sindikata që ka një anëtarë në bord. Pjesa tjetër rregullohet me ligj ku parashihen tri njësi punuese. Nuk janë pjesë e statutit por statuti mundëson zhvillimin e Trepçës dhe në të ardhmen mund të ndryshohet edhe nga investitorët”, tha Lluka.