Qeveria Miraton Shpronësimin e Pronave në Hade e Shipitullë

Qeveria e Kosovës, ka miratuar vendimin preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në fshatrat Hade dhe Shipitullë.

Pronat e paluajtshme që do shpronësohen shtrihen në zonat kadastrale Hade dhe Shipitullë të Komunës së Obiliqit, dhe preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Albena Reshitaj, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka thënë se departamenti i shpronësimit ka kërkuar nga Qeveria të nxjerr vendim ekzekutiv për ligjshmërinë e procesit të shpronësimit për pronat e paluajtshme.

“Departamenti i shpronësimit pasi ka konstatuar përmbushjen e dispozitave ligjore të nenit 4, 8, 9, 10 të Ligjit për Shpronësim të Pronës së Paluajtshme kërkon nga Qeveria e Kosovës të nxjerr vendim ekzekutiv me të cilin miratohet vendimi preliminar për ligjshmërinë e procesit të shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës në zonat kadastrale Hade dhe Shipitullë pjesa e mbetur të Komunës së Obiliqit”, ka thënë Reshitaj.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se nuk mund ta “zhagitin”, këtë proces pa kufij.

“Procesi i arritjes së kontratave për të gjithë të prekurit nga ky projekt për shpërngulje ka avancuar në masë të duhur, mirëpo janë edhe disa pengesa. Për këtë arsye vendimi i sotëm e ka peshën e vet, sepse i afatizon këto veprime”, u shpreh Haradinaj.