FOTO KALLXO

Qeveria do të ndajë 1.2 milion euro për komunat që tregohen më të suksesshme në pastrim

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, gjatë takimit që u mbajt mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetarëve të komunave të vendit dhe GIZ-it gjerman ka deklaruar se komunat më të suksesshme në pastrim do të marrin edhe grante.

“1.2 milion euro do të ndahen për komunat më të suksesshme të cilat do të plotësojnë kriteret e përcaktuara”, ka thënë Matoshi.

Ndërsa, Enver Tahiri nga po kjo ministri tha se mbeturinat që mund të riciklohen do të ndahen në një sistem të veçantë.

Ai gjithashtu theksoi se komunat duhet të vendosin një taksë dhe ta mbledhin atë prej qytetarëve dhe të mos ja lënë këtë përgjegjësi kompanive.

“Komuna duhet ta caktojë taksën për mbeturina dhe duhet ta mbledhë atë taksë e jo kompania ta mbledh sepse atëherë hyni në konflikt dhe nuk mundeni ta kushtëzoni qytetarin. Duhet të krijohet një orar i mirëfilltë nga institucionet e ndryshme. Përcaktoni lokacionin për demolimin e mbeturinave sepse me Komisioni Evropian jemi duke zhvilluar negociatat për këtë punë por duhet përcaktuar lokacioni në mënyrë që të përfitojmë nga donacionet e jashtme dhe mbështetjen pre Kosovës”, tha Tahiri.

Ndërkaq, Aleksandra Linden, nga GIZ-i, tha se janë duke e mbështetur qeverinë e Kosovës në planifikimin hapësinor se si ta trajtojë ndotjen e ajrit dhe mbeturinat.

Ajo shtoi se integrimi i sektorit të riciklimit është shumë i rëndësishëm.

“Qeveria gjermane tashmë po mbështetë tetë komuna në Kosovë dhe do të filloj të mbështesë edhe dy të tjera. Kjo është një zonë e cila mund të rrisë edhe nivelin e punësimit. Me qeverinë e Kosovës po rrisim mundësitë për të rinjtë që të kenë një shkollim adekuat dhe komunat të arrijnë të punësojnë staf adekuat për trajtimin e ambientit. Ka shumë pak njerëz që e dinë se si duhet trajtuar mbeturinat. Na është prezantuar strategjia kosovare dhe në nëntor do të diskutojmë për versionin e draftuar. Ky do të jetë hap i madh që ta zhvillojmë implementimin e këtyre projekteve në komunat e Kosovës”, deklaroi Linden.

Kurse, Luan Hasanaj nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën” tha se janë rreth 100 mijë vullnetarë që do të marrin pjesë në aksionin për pastrimin e Kosovës që do të fillojë nga 15 shtatori i këtij viti.

Ai theksoi se të dhënat e komunave dhe organizatave që merren me ambientin nuk përkojnë kur bëhet fjalë për numrin e deponive ilegale.

“Është një fushatë e madhe qe po fillon nga dita e hënë, pothuajse në gjithë territorin e Kosovës. Po shohim njerëz që janë vullnetarë të marrin pjesë në aksionin e 15 shtatorit që ta pastrojmë Kosovën. Synimin e kemi që të mobilizojmë afër 100 mijë vullnetarë dhe të pastrojmë hapësirat publike. Na duhen të dhëna për deponi ilegale në nivel të komunave, të gjithë zyrtarëve komunalë u kemi kërkuar të dhëna prej platformave aktuale por të dhënat e komunave dhe organizatave nuk përkojnë. Janë rreth 1500 deponi ilegale nëpër Kosovë. Përpos hapësirave publike janë edhe brezat rrugorë që në fazën e parë të pastrohen”, ka thënë Hasanaj.

Fondi i Task Forcës nga qeveria e Kosovës dhe organizatës “Ta pastrojmë Kosovën” do të dhurojë 500 kontejner dhe 500 shporta të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tregoi që institucionet shtetërore nuk kanë marrë shkresë zyrtare prej qeverisë që të bëhen pjesë e këtij aksioni, prandaj propozoi që kjo të ndodhë në mënyrë që aksioni tre mujor, nëse është i mobilizuar nga të gjithë mund të jetë më efektiv.

Aksioni për pastrim në Prishtinë do të mbahet prej 17 deri me 30 shtator, në Mitrovicë prej 1 deri me 13 tetor, në Pejë prej 15 deri me 27 tetor, në Prizren prej 29 tetor deri me 10 nëntor, në Gjilan prej 12 deri më 22 nëntor, në Ferizaj prej 22 nëntor deri me 6 dhjetor dhe në Gjakovë prej 7 deri me 15 dhjetor.