Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/EPA-EFE

Protestat, Vuçiq: Nuk do të lejoj të përsëritet dhuna si mbrëmë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili mbajti një konferencë për media derisa jashtë Pallatit Presidencial protestohej kundër tij, tha se nuk do të lejojë që të përsëritet dhuna si natën e mbrëmshme në Radio Televizionin e Serbisë.

“Janë ndeshur në dikë që askujt s’i frikohet. Nuk frikohem t’ua them në fytyrë se ata janë hajnat më të këqij”, ka thënë Vuçiq.

Në vazhdim, ai ka theksuar me muaj është heshtur ndaj gënjeshtrave të opozitarëve të cilët i ka emëruar: Boshko Obradoviq, Vuk Jeremiq dhe Dragan Gjillas.

Këta të tre, bashkë me qindra opozitarë të tjerë, po protestojnë në kohën që Vuçiq mban fjalimin drejtuar kombit.

Protestat antiqeveritare “Një nga pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë qysh nga 8 dhjetori i vitit të kaluar.

Në ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë.

Muajin e kaluar, Freedom House – organizatë ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut në botë – ka publikuar raportin vjetor, në të cilin e ka degraduar Serbinë nga kategoria e vendeve të lira në vend pjesërisht të lirë./21Media