Foto-ilustrim

Prokurorja në pushim, nuk mbahet seanca e gjykimit të ish-sportelistit të PTK-së

Seanca e shqyrtimit fillestar e planifikuar të mbahet sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ndaj ish-sportelistit të PTK-së, Ahmet Berisha, ka dështuar të mbahet për shkak se në seancë nuk ka prezantuar prokurorja e rastit Fetije Bajrami-Shala

Mosprezencën e prokurores Fetije Bajrami-Shala në seancë e ka bërë të ditur edhe gjykatësi i rastit, Burim Ademi.

Ademi ka njoftuar se prokurorja e rastit përmes një njoftimi me shkrim të dërguar më 31 dhjetor 2018 ka bërë të ditur se do të gjendet në pushim vjetor nga 9 deri më 24 janar 2019.

Gjykatësi ka shtuar se përmes këtij njoftimi prokurorja kishte kërkuar që seanca të shtyhej, raporton KALLXO.com.

Kurse në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e saj seanca është shtyrë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 18 shkurt.

Ndërsa me ftesë të rregullt do të ftohet prokurorja Fetije Bajrami-Shala.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ahmet Berisha po akuzohet se nga 13 nëntori  i vitit 2015 e deri më 1 shkurt 2016, në Postën e Kosovës në pozitën e sportelistit në zyrën postare “Mitrovica 1”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës zyrtare.

Në akuzë thuhet se Berisha ka anuluar 14 pagesa të shërbimeve financiare jobankare e që gjatë kontrollit të bërë më 11 shkurt 2016 nga auditori i brendshëm, Inspektorati Policor, Departamenti i shërbimeve financiare jobankare dhe Departamenti i sistemit të automatizmit të sporteleve, ishte vërtetuar se i akuzuari në fjalë me veprimet e ndërmarra ka përvetësuar për vete shumën prej 1.270.68 euro.

Me këtë po akuzohet për kryerjen e veprës penale “përvetësimi në detyrë”.