Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Pranon Lëshimin e Certifikatave të Pamerituara të Invalidëve të Luftës

Por një seancë ndaj Shabanit e planifikuar të mbahej sot, u shty për shkak të mungesës së tij.

Gjykata nuk ishte e sigurt nëse ai e ka pranuar ftesën për seancën e sotme.

Sherif Shabani akuzohet se i ka mundësuar personave të ndryshëm statusin e invalidëve të luftës në Kosovë, pa qenë fare invalidë dhe në kundërshtim me Statutin e Shoqatës.

Ai, në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës “Lidhja e Invalidëve dhe Viktimave Civile të luftës së Kosovës”, me qëllim të përfitimit për vete, akuzohet se i ka lëshuar librezë Agim Gashit, Xhafer Ademit, Bujar Eminit dhe të tjerëve. Aktakuza thotë se përmes kësaj libreze, atyre u janë mundësuar benificione të ndryshme të cilat parashihen me ligj.

Sipas aktakuzës, me lëshimin e kësaj libreze, Agim Gashit, Xhafer Ademit, Bujar Eminit dhe të tjerëve, iu është njohur statusi i invalidëve të luftës së Kosovës, ndonëse nuk ishin të tillë dhe kjo bie në kundërshtim me Statutin e Lidhjes së Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës së Kosovës.

I akuzuari Sherif Shabani, në mbrojtjen e tij e ka pranuar kryerjen e veprës penale për të cilën ngarkohet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ai ka pranuar se është e vërtetë se Agim Gashit i ka mundësuar lëshimin e librezës së invalidëve të luftës, pa qenë invalidë fare.

Shabani gjatë mbrojtjes tha se arsyeja e lëshimit të kësaj libreze është bërë me qëllim që Agim Gashi ta regjistrojë vajzën e tij në fakultet, gjë të cilën edhe e ka arritur. Përveç regjistrimit së vajzës në fakultet, Gashi ka arritur të marrë përfitime tjera.

Më tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Shabani ka refuzuar të ketë keqpërdorur vulat e shoqatës për t’u mundësuar personave tjerë pajisjen me këto libreza në kundërshtim me ligjin dhe krejt qëllimi i tij ka qenë ndihma e shoqatës ku ka antarësuar njerëz sipas ligjit.

Me këtë, Sherif Shabani ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.