Foto: Ilustrim

Policia Nuk ka Njohuri për Raportimet për Djegien e Flamurit të Kosovës në Gjilan

Në një video e cila po qarkullon nëpër rrjete sociale, shihen disa persona të cilët po djegin flamurin e Kosovës në shenjë pakënaqësie për zëvendësimin e flamurit kombëtar me atë shtetëror “Te Rrethi”.

Mediat kanë raportuar se akti i djegies së flamurit shtetëror ëshë bërë në Gjilan, por Policia e Kosovës, në këtë rajon, tha se nuk ka informata për këtë.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se videoja është parë por në polici nuk ka rast të hapur apo ankesë lidhur me këtë çështje.

“Deri më tani nuk ka ndonjë raportim apo ankesë në lodhje me ketë qe po pyesni. Nuk kemi asgjë te raportuar në këtë drejtim. Unë kam kontaktuar edhe me zyrat e rajonit por nuk kemi mundur të hasim se ngjarja ka ndodhur në Gjilan”, tha Ismet Hashani për KALLXO.com.

Mbrëmë në një situatë të tensionuar, me praninë e forcave policore dhe shumë qytetarëve është hequr flamuri kombëtar dhe është vendosur flamuri i Kosovës në hyrje të Prishtinës.

Për heqjen e flamurit kombëtar dhe zëvendësimin e tij me atë shtetëror, ka ngjallur polemika se a do të duhej apo jo të ndodhte një gjë e tillë.