Zijad Turkoviq Shfaq Mospërputhje Deklaratash në Rastin Kelmendi

Zijad Turkoviq, dëshmitar në gjykimin e Naser Kelmendit sot nuk ishte i sigurt se kush e njoftoi për një vrasje në shtetin boshnjak.

Turkoviq tha se nuk i kujtohej kush e kishte thirrur për ta njoftuar për vrasjen e Ramiz Delaliqit në qershorin e vitit 2007 në Sarajevë.

“Ishin disa thirrje, më duket se Radonçiqi ishte i pari që e thirri gruan time,” tha Turkoviq.

Ky dëshmitar në seancën e 17 qershorit kishte thënë se për vrasjen e Ramiz Delaliqit kishte kuptuar rreth një orë para se Fahrudin Radoqiq ta njoftonte gruan e tij.

Fahrudin Radonçiq është pronar medial dhe politikan boshnjak, ndërsa gruaja e Zijad Turkoviqit Sheilla punoi nëpër mediet e Radonçiqit dhe gjithashtu dëshmoi për disa ditë në procesin kundër Naser Kelmendit.

Avokati mbrojtës i Kelmendit, Besnik Berisha e pyeti dëshmitarin se a kishte ndonjë informacion se kush mund të kenë qenë vrasësit e Delaliqit, ndërsa ky u përgjigj shkurt “Jo, në atë moment nuk e kemi ditur”.

Dëshmitari Turkoviq sot në seancë u pyet për një takim në të cilin ishte pjesëmarrës, ndërsa në të ishte diskutuar vrasja e Selver Lekiqit për të cilin fajësohej Ramiz Delaliq.

Selver Lekiq ishte vrarë në prill të vitit 2007 po në Sarajevë.

Turkoviq tregoi se ky takim ishte mbajtur në kafenenë “Walter”.

“Takimi i parë ka qenë pasi që ka ndodhur vrasja e Selverit, ndërsa në takim kanë marrë pjesë vëllezërit Lekiq, Daut Bibiq dhe disa anëtarë të familjes Lekiq, kam qenë edhe unë”, tha Turkoviq.

Dëshmitari tregoj se në këtë takim kishte marrë pjesë edhe Fahrudin Radonqiq ndërsa Kelmendi nuk kishe qenë i pranishëm.

Turkoviq tregoi se në çfarë cilësie mori pjesë në këtë takim.

“Kam qenë në atë takim si pjesëtar i familjes, si i njohur i tyre dhe ata [vëllezërit e Lekiqit] nuk kanë mbajtur ndonjë fshehtësi ndaj meje, sepse kanë pasur besim,” sqaroi Turkoviq.

Për ta qartësuar këtë çështje, kryetarja e trupit gjykues, Ana Adamska Gallant e pyeti dëshmitarin se a kishte qenë pjesë aktive e këtij takimi.

“Kam qenë prezent,  nuk mund të mbaj mend çdo gjë, por ata kanë folur unë kam heshtur, ndoshta jam inkuadruar në bisedë kohë pas kohe, por kjo ka qenë e tëra,” tha Turkoviq.

Besnik Berisha, avokati mbrojtës i Naser Kelmendi i quajti të pavërteta deklaratat e Zijad Turkoviqit.

“Siç duket dëshmitari Turkoviq pashmangshëm detyrohet të thotë gënjeshtra të vazhdueshme. Çdo deklarim i tij i sotshëm bie ndesh me të vërtetën, por diskrediton edhe dëshminë e gruas së tij Sheila Turkoviq të cilët për bindjen tonë janë ata që kanë gatuar këtë trillim që të mbrojnë përfshirjen  e tij në vrasjen e Delaliqit, ndërkohë të fajësojnë Kelmendin dhe të tjerët,” tha Berisha.

Berisha deklaroi se Zijad Turkoviq po e ngatërron dëshminë e tij, duke u munduar ta koordinojë me deklaratat e gruas së tij.

“Kjo është arsyeja që ditën e parë kur ka ardhur këtu ka dhënë versionin e tij duke besuar që ai është edhe versioni i gruas së tij, pastaj pas seancës së parë ka komunikuar me gruan e tij dhe ka parë që ka një dallim të madh mes të vërtetës në thonjëza të thënë nga ajo dhe të vërtetës të thënë nga,” tha Berisha.

Ai shprehu keqardhje për të mbrojturin e tij që gjendet në paraburgim për deklarata të njerëzve të dënuar me burg.

“I tërë procesi dhe aktakuza bazohet në deklarata të dëshmitarëve të provuar kriminelë me vendime të formës së prerë të gjykatës. Një nga këta është Turkoviq i cili pak javë më parë është dënuar me 42 vjet dhe  sipas deklarimit të tij ka katër aktakuza të hapura. Kelmendi është duke u dëmtuar skajshmërisht  pasi që gjendet në paraburgim dhe ky proces stërzgjatet si pasojë e distancës, video-lidhjeve dhe dëshmitarëve të mbrojtur,” tha Berisha.

Naser Kelmendi përveç shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletëarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.