Presidentja Jahjaga Reagon Ndaj Arrestimit të Mbrëmshëm në Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbledhur sot krerët e institucioneve të sigurisë në Kosovë, një ditë pasi në Prishtinë u kap një veturë e një shtetasi serb me mbi 12 kilogramë eksploziv që dyshohet të jetë përgatitur për të shpërthyer në Prishtinë.

Në këtë takim kanë marrë pjesë kryeministri i vendit, Isa Mustafa, dhe krerët e mekanizmave të sigurisë, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kërkova nga mekanizmat e sigurisë që të ngrisin sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe apeloj te qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit që po e hetojnë këtë incident”, thuhet në deklaratën e Presidentes Jahjaga.

Duke marrë parasysh natyrën komplekse dhe serioze të këtij “komploti të dyshuar terrorist”, Jahjaga u bëri thirrje shteteve të rajonit të bashkëpunojnë në zbardhjen e rrethanave dhe të ndihmojnë në sjelljen e aktorëve të përfshirë në këtë akt terrorist para drejtësisë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste dhe institucionet e vendit do të bëjnë çmos që siguria kombëtare e Kosovës dhe e aleatëve të saj të ruhet dhe të garantohet”, tha Presidentja Jahjaga.