Piloti i Aeroplanit të Rrëzuar Ishte Bllokuar Jashtë Kabinës

Pas gjetjes së kutisë së zezë të aeroplanit Airbus A32 i kompanisë “GermanWings” i cili u rrëzua dy ditë më parë në Alpet Franceze ku humbën jetën 150 pasagjerë, hetuesit kanë analizuar zërat që vinin nga kabina e aeroplanit nga kutia e zezë që është gjendur, raporton agjencia e lajmeve AP.

Remi Jouty, shefi i byrosë së hetimit për aksidentin në Francë tha të mërkurën se kanë arritur të dëgjojnë tinguj dhe zëra, por ende nuk ka “shpjegim të detajuar” pse u përplas aeroplani.

Sidoqoftë, siç raporton një gazetë, audio incizim përmban informacione intriguese.

Një nga pilotët dëgjohet duke trokitur fuqishëm në derën e kabinës në një përpjekje të pasuksesshme  për hyrë brenda.

“Personi jashtë po trokiste në derë por nuk kishte përgjigje,” citon New York Times një burim anonim i cili tutje thotë se piloti më pas fillon të trokasë fuqishëm në derë por prapë nuk merr përgjigje.

“Ju mund ta dëgjoni atë duke dashur ta thyejë derën”, thotë më pas ky burim.

Hetuesi, për të cilën gazeta thotë se nuk mund të identifikohet për shkak se hetimi po vazhdon, tha se zyrtarët ende nuk e dinë se pse piloti doli nga kabina. Ai gjithashtu nuk dëshiron të spekulojë se pse piloti tjetër nuk e hapi derën dhe nuk kontaktoi me bazën e kontrollit para se aeroplani të përplasej.

Emrat e pilotëve ende nuk janë bërë të ditur.

Autoritetet franceze nuk kanë dhënë detaje të shumta lidhur me audio-incizimin që vjen nga njëra nga kutitë e zeza të aeroplanit e cila është gjetur.