Ndalet Uji nga Badovci pas Dyshimit për Akt Terrorist

Ujësjellësi i Prishtinës ka ndalur furnizimin me ujë nga liqeni i Badovcit pas arrestimit të mbrëmshëm të të disa të dyshuarve në afërsi të rezervës ujore të qytetit.

“KUR Prishtina sot ka kryer punën që i takon, ka ndërprerë prodhimin e ujit nga fabrika e Badovcit. Ndërsa IKShP ka marrë mostrat në liqen dhe janë duke bërë të gjitha analizat”, thotë zyrtarisht ujësjellësi për Kallxo.com.

Ujësjellësi njofton se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike i Kosovës (IKShP) se kur mund ta fusin sërish në sistem fabrikën e Badovcit.

“Presim së shpejti instruksione nga IKSHP se çfarë të bëjmë më tutje”, tha KUR Prishtina për Kallxo.com.

Megjithatë, institucioni thotë se nuk ka vend për panik duke qenë se uji është ndalur dhe situata është nën kontroll.

Tre persona u arrestuan natën mes 10 dhe 11 korrikut pranë liqenit të Badovcit nga forcat policore të Kosovës.

Sipas informatave të KALLXO.com, të arrestuarit pritet që nesër të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë para gjyqtarit të procedurës paraprake.

“Analiza të jashtëzakonshme”

Të kontaktuar nga Kallxo.com, drejtues të Institutit të Shëndetësisë Publike pohuan se po analizohen mostra uji nga liqeni i Badovcit pas ngjarjes së një nate më parë.

‘Ujësjellësi Prishtina në bashkëpunim me Institutin Kombëtar kanë ndalur për shfrytëzim ujin e Badovcit për çështje sigurie”, tha për KALLXO.com, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Drejtori i IKShP tha se instituti ka dalë menjëherë në vend ngjarje për të marrë mostrat për analiza laboratorike, të cilat janë në procedurë në laborator.

“Po sa të jenë gati ne do t’i publikojmë”, tha Ramadani, duke njoftuar se dalja e rezultateve pritet sonte në mbrëmje.

Policia nuk kallëzon

Ndërsa disa medie shkruan se bëhej fjalë për terrorizëm, Policia e Kosovës bëri me dije se ishin kryer arrestime për një vepër penale të papërcaktuar.

“Njësitet relevante policore kanë arrestuar tre persona të dyshuar, me dyshimin e bazuar për përfshirje në vepër penale”, thuhet në deklaratën e policisë për Kallxo.com.

Por policia, gjithashtu njofton se në datën 11.07.2015 rreth orës 01:40 në magjistralen Prishtinë-Gjilan, konkretisht afër liqenit te Badovcit, personat e dyshuar kanë qenë në posedim të dy veturave, njëra Golf 2 ngjyrë e kuqe dhe tjetra Pasat po ashtu ngjyrë e kuqe.

Në fakt, në Kosovë janë gati 300,000 automjete të regjistruara, dhe është e paqartë nëse posedimi i dy veturave të kuqe të markës Volsvagen ka ndonjë domethënie të veçantë.

Personat e dyshuar, tanimë të arrestuar janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme policore”, thotë policia.

Gjithashtu, raportime të pakonfirmuara thanë se dy persona të tjerë të lidhur me të njëjtën ngjarje ishin arrestuar sot, por nuk ka pohim zyrtar nga autoritet për këtë informacion.

Situatë e tensionuar

Masat e Sigurisë në Kosovë janë rritur ndjeshëm pas publikimit të një videoje kërcënuese të ISIS, si dhe të informacioneve operacionale, sipas të cilave sulme të mundshme po përgatiteshin në vend.

Në lidhje me këtë situatë, deri më tani janë arrestuar mbi 80 persona dhe janë bastisur mbi njëqind lokacione të personave të dyshimtë, sipas policisë.

Edhe koncerti i përvitshëm për nder të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për herë të parë nga paslufta nuk u organizua. Nëpër Prishtinë ka forca të shtuara të policisë me jelek antiplumb.