Kadaj-Bujupi: AAK Do të Votojë Kundër Ndryshimeve në Buxhet

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, tha se AAK-ja do të votojë kundër ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për buxhetin, të dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Kosovës.

Kadaj-Bujupi tha se një ligj i dorëzuar kaq shpejt nga qeveria për aprovim, mund të jetë marrëveshje e partive të koalicionit.

“Buxheti i 2015 mund të jetë për 50 milion euro më të vogla se në vitin e kaluar, dhe në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës mund t’i presin vetëm ditë më të vështira”, tha Kadaj-Bujupi.

Ajo tha se për gjashtë muajt e parë të qeverisjes Mustafa, 100 mijë qytetarë migruan jashtë vendit, dhe premtimi për 120 mijë vende pune, jo që nuk u realizua, por edhe i largoi qytetarët nga vendi.

Donika Kadaj-Bujupi , gjithashtu akuzoi edhe ministrat dhe deputetë që nuk janë të pranishëm në sallë.

Ajo tha se Kuvendi i Kosovës po duket sikur të jetë në një ditë pushimi e jo në një ditë që është kaq e rëndësishme, pasi është fjala për buxhetin Kosovës.

“Ku është sot ministri për Zhvillim Ekonomik, ku është ministri i Bujqësisë, sepse s’e besoj që është me bujqit në ara… a ka ndonjë prioritetet në këtë vend, a ka ndonjë prioritet kjo qeveri”, tha Kada.