I Lënduari nga Armët Pa Leje Flet në Ditën e Shkatërrimit të Disave prej Tyre

Asllan Uka nga Vushtrria në Ditën Ndërkombëtare të Shkatërrimit të Armëve rrëfen se si u lëndua para dhjetë vjetësh nga një plumb në një aheng.

Uka tha për KALLXO.com se u qëllua nga një person që nuk e kishte armën me leje.

“Unë kam qenë në një darsëm të një nipi. Personi ka qenë i afërm i tyre, nga pakujdesia, nga shkrepja e një plumbi ka ardhur deri te plagosja,”thotë Uka.

Ai nga atëherë ka mbetur i palëvizshëm, ndërsa armë të ngjashme që shkaktuan plagosjen e Ukës u shkatërruan sot në shkritoren e Janjevës.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me UNDP-në shkatërroi në këtë shkritore 1 mijë e 700 armë të vogla dhe të lehta, të konfiskuara gjatë vitit të kaluar.

Naim Rexha zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës tha se shkatërrimet e tilla po ndikojnë që gjithnjë e më pak armë të përdoren nëpër ahengje.

“Suksesi i referohet konstatimit të numrit të zvogëluar të armëve që përdoren në ahengje, tashmë krahas me dy, tre, dhe pesë vitet më herët,” tha Rexha.

Lapon Alain, menaxher i projektit në UNDP tregoi për KALLXO.com rolin e kësaj organizate në shkatërrimin e armëve.

“Kjo përfshin zhvillimin dhe asistencën gjatë monitorimit të strategjisë për armët e vogla,” tha Alain.

I pranishëm në aktivitetin e shkatërrimit të armëve ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni.

Sipas Hysenit ndihma për shkatërrim të armëve të konfiskuara po i vjen Kosovës nga Gjermania, vendet tjera të BE-së dhe Norvegjia.