Rrëfimet e tmerrit të gruas nga Podujeva, tentova 5 herë të vras veten

Emisioni i sontëm “Drejtësia në Kosovë” transmetoi faktet se si organet shtetërore po vazhdojnë të dështojnë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Drejtësia në Kosovë”, transmetoi rrëfimin tragjik të Hajrie Aliu, viktimë e dhunës në familje, e cila për disa vite ishte rrahur dhe maltretuar nga ish burri i saj Enver Zeka.

“Jam rrahur çdo ditë nga burri, kur nuk më ka rrah në mbrëmje më ka rrahë në mëngjes, kur nuk më ka rrahë në mëngjes më ka rrahë në mbrëmje. Në vend të bukës dajak kam hongër”, ka treguar Hajria për “Drejtësia në Kosovë”.

E lodhur nga dhuna e vazhdueshme që burri ushtronte ndaj saj, Hajria kishte tentuar disa herë t`i japë fund jetës. Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, Hajria kishte tentuar të bëjë vetëvrasje edhe kur kishte qenë gjashtë muaj shtatzënë.

“I kam qitë dy këmbët në rrethin e bunarit dhe kam provu me mbyt veten. Por jam ndal dhe jam kujtua që unë vdes, por më mbetet fëmija i gjallë në bark”, ka treguar ajo.

“Nga ‘Domestosi’ të cilin e kam pirë më është ngulfatur fyti dhe sot nuk mundem të ha normal”, ka rrëfyer Hajria.

Hajria tregoi se në pamundësi që ta mbajë djalin e saj, pasiqë nuk ka një shtëpi se ku të jetojë e ka dërguar djalin tek ish burri.

“Djalin e kam qu te burri, s`kam pas mundësi me e mbajt, pa punë, banim nuk kam, qiraja e banesave është e shtrenjtë. Unë kurgjo s`kisha dashtë veç me kon me djalin tem, me pas një banim ku kish amujt me ja bo një kafshore bukë fëmiut tem”.

Ajo ka treguar se as familja e saj nuk e kanë përkrahur dhe sot ajo ka mbetur e vetme në rrugë dhe larg djalit të saj.

“Familja ime as s`kanë dashtë me ndi, nuk më kanë përkrahur asnjëherë”, ka treguar ajo.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, hulumtuesit kanë gjetur se gjykata e prokuroria nuk ishte marrë seriozisht me trajtimin e këtij rasti. Madje në disa raste gjykata kishte nxjerrë vendime mjaft të çuditshme.

Gjykatësi i rastit, për një ditë kishte nxjerrë dy vendime. Me të parin burrin e Hajrisë e kishte dënuar me tre muaj burg me kusht, ndërsa në tjetrin kishte shqiptuar një vërejtje gjyqësore, një praktikë e pazakontë në gjyqësorin kosovar.

Gjyqtari dhe prokurori, për të akuzuarin Enver Zeka nuk kishin qenë dijeni se ndaj tij disa muaj më parë e njëjta gjykatë kishte nxjerrë një aktgjykim me të cilin e dënoi me 200 euro gjobë për veprën penale lëndim i lehtë trupor.  Më e çuditshme në këtë aktgjykim shkruan se Enver Zeka e kishte rrahur në vazhdimësi gruan e tij dhe në fund i ishte shqiptuar një gjobe prej 200 euro,.

Siç transmetoi  “Drejtësia në Kosovë”, Ndaj Enver Zekës në Prokurorinë Themelore të Prishtinës janë të deponuara 7 kallëzime penale. Në gjykatë ndaj tij janë hapur 6 lëndë. Në tri raste gjykata ka vendosur dhe dënimet janë:  për rrahje dhe lëndim i lehtë ku dënimi sipas ligjit parashihet të jetë 1 deri 5 vite burgim, gjykata e Podujevës shqiptoji dënimin me gjobë prej 200 eurosh; Në rastin e dytë  ku vepra ishte sërish lëndim i lehtë truporë dhe dënimi sipas ligjit parashihet 1 deri 5 vite burgim, dënimi është dënim me kusht; dhe në rastin e tretë ku  vepra ishte kanosje që sipas ligjit dënimi parashihet të jetë 6 muaj deri 5 vjet burgim, u shqiptua vetëm vërejtje gjyqësore.

Gjyqtari Minir Hoti, thotë se vendimin që në të njëjtën ditë t`i shqiptojë për të njëjtin të akuzuar dy lloje të dënimeve, njërin me kusht e tjetrin me vërejtje gjyqësore e kishte marrë duke u bazuar në ligj.

“Në lëndën P.nr.495/2010 për vepër penale lëndim i lehtë kam shqiptuar dënim me kusht tre muaj burg me periudhë të verifikimit prej një viti, pas shqyrtimit gjyqësor për veprën penale lëndim i lehtë, kam vazhduar edhe me lëndën P.nr.1483/2012 për veprën penale kanosje, me të cilat lëndë isha i ngarkuar, i pandehuri për këtë vepër penale është shpallë fajtor dhe i është shqiptuar vërejtje gjyqësore. I pandehuri në atë kohë ishte prind vetushqyes i fëmiut të vogël, ishte shfrytëzues i ndihmës sociale. Duke i marrë parasysh të gjitha këto rrethana dhe interesin më të mire të një fëmiu gjykata ka marrë këto aktgjykime duke u bazuar në KPK dhe në gjendjen faktike”.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, prokurori Armend Hamiti i cili kishte përfaqësuar të dy akuzat në gjykatë, ishte pajtuar me dënimet e shqiptuara nga gjyqtari Minir Hoti. Prokuroi në asnjërin rast nuk ishte ankuar për dënimet që iu dhanë të akuzuarit.

“Në të dyja rastet i akuzuari  e ka pranuar fajësinë dhe kjo merret si rrethanë lehtësuese”, ka deklaruar prokurori Hamiti për “Drejtësia në Kosovë”.