Foto: Kallxo.com

Për herë të parë në Kosovë shënohet Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocave

Me moton “Ne kështu lëvizim”, sot në Prishtinë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocave, ditë e cila shënohet për herë të parë në Kosovë.

Për shënimin e kësaj dite, u organizua një parakalim nga sheshi “Skendërbeu” deri tek sheshi “Zahir Pajaziti”, ku aty u luajt një ndeshje basketbolli, në mes personave me nevoja të veçanta.

Afrim Aliqi, themelues i organizatës ‘Handikos’ në Kosovë, tha se qëllimi i shënimit të kësaj dite është të tregoj anët pozitive të karrocës dhe rëndësinë e saj në përfshierjen e personave me nevoja të veçanta në shoqëri.

“Kjo ditë  tregon edhe nevojën që kanë personat me nevoja të veçanta për pajisjet ndihmëse, në anën tjetër tregon edhe problematikat apo sfidat që personat me nevoja të veçanta hasin në lëvizje, duke llogaritur që infrastruktura në vendin tonë jashtëzakonisht e paqasshme dhe me këtë rast nëse një person me aftësi të kufizuar nuk ka lëzivje të lirë sikur qytetarët e tjerë, konsiderohet diskriminim”, ka thënë Aliqi.

Sipas tij, organizata ‘Handikos’ është e vetmja që nga vitet e 90-ta mbulon me paisje ndihmëse personat me aftësi të kufizuar.

“Ne jemi organizata e vetme e cila i mbulon personat me aftësi të kufizuar me pajise ndihmëse, qysh në vitet e 90-ta. Personave me nevoja të veçanta duhet t’i jepet hapësirë dhe t’iu jepet mundësi. Duke filluar nga qasja, ofrimi i shërbimeve, thyerja e paragjykimeve e cila ndikon shpeshherë negativisht te këta persona”, ka deklaruar Aliqi.

Kjo ditë për herë të parë është shënuar në vitin 2008, në shumë vende të botës, ndërsa në Kosovë u shënua me shkrimet si “Edhe unë kam rrota por nuk e ndoti ambientin”,  “Nisnu ju se me karrocë jam”, “Ai momenti kur mbet në borë”, “Mos m’shtyj pa t’thanë”.