Foto-ilustrim

Pejë, kërkohet paraburgim për të pandehurin që goditi me veturë për vdekje këmbësorin

Prokuroria e Pejës ka kërkuar nga Gjykata caktimin e paraburgimit për të pandehurin E.B., me dyshimin se i njëjti kishte për të kryer veprat penale – rrezikimi i trafikut publik, dhe -mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik.

Sipas një njoftimi, Prokuroria e Pejës ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit E.B., për shkak se i njëjti dje rreth orës 01:30, në rrugën “Selman Lajçi” në Pejë, shkel ligjin për rregullat e trafikut, duke i shkaktuar vdekjen të ndjerit A.C.

Prokuroria e Pejës po pretendon se i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe me pjesën e përparme të veturës e godet këmbësorin A.C., duke e hedhur 4 metra jashtë rrugës.

Nga goditjet e marra viktima ka vdekur, ndërsa i pandehuri E.B. është larguar duke mos u ndalur fare në vendin e ngjarjes.

Seanca dëgjimore për caktimin e kësaj mase pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake.