Viktimat e aksidentit në Drenas - një grua dhe një fëmijë 7-vjeçar

Dy persona kanë mbetur të vdekur e tre të lënduar në një aksident tragjik që ka ndodhur në afërsi të Drenasit.

Sipas kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, viktimat janë një grua dhe një fëmijë 7-vjeçar.

Nura ka treguar se viktimat janë nga komuna e Skenderajt.

Ai është shprehur thellësisht i prekur nga ky aksident, ndërkohë që u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe u ka uruar shërim të lënduarve.

“I prekur thellësisht në shpirt pas aksidentit të sotëm, ku humbëm dy qytetarë të komunës sonë; një nënë e dy fëmijëve dhe një 7 vjeçar. Në këto momente të rënda bashkëndjejmë dhimbjen me familjet dhe lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve!”, ka shkruar Nura në Facebook. 

Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:00 në fshatin Gllobar të Drenasit.