Foto: Policia e Kosovës

Mjeku kujdestar tregon gjendjen e të lënduarve në aksidentin tragjik që ndodhi në rrugën Prishtinë-Podujevë

Dy persona kanë vdekur e nëntë të tjerë janë lënduar gjatë një aksidenti që ka ndodhur gjatë ditës së sotme në rrugën Prishtinë- Podujevë.

Dy nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë ndërsa shtatë janë liruar në shtëpi pas trajtimeve të marra mjekësore pasi kanë pasur lëndime të lehta trupore.

Doktori dhe mjeku kujdestar në Emergjencë, Ejup Govori, shpjegoi gjendjen e dy pacientëve të cilët janë ende duke u trajtuar.

Njëri nga ta, sipas Govorit, ka fraktura të shumta dhe probleme me unazat e qafës. Kjo e fundit pacientit i ka shkaktuar edhe gjendjen e rëndë shëndetësore.

“Gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Pacienti ka lëndime trupore, të eshtrave të fytyrës dhe krejt ajo që është më serioze është që ka fraktura të unazave të qafës që i ka shkaktuar edhe gjendjen e rëndë sepse pacienti momentalisht është me hipertension. Kjo gjendje është e gjitha për shkak të frakturës së unazës, ka frakturë edhe të brinjve edhe problemeve me mushkëri”, tha Govori.

Në anën tjetër, Govori shtoi se pacienti i dytë pritet të transferohet në ortopedi.

“Është edhe një pacient që ka gjendjen serioze, pritet me u transferu në Klinikën Ortopedike”, shtoi tutje doktori Govori.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se rreth orës 9:30 në rrugën Prishtinë-Podujevë ka ndodhur një aksident trafiku, ku për pasojë dy persona kanë vdekur. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete.

“Si pasojë e këtij aksidenti, bazuar në të dhënat fillestare, lëndime trupore kanë pësuar 11 ( njëmbëdhjetë) persona, dy prej të cilëve nuk kanë mundur t’u përballojnë plagëve të marra dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mkekësor në vendngjarje”, thuhej në njoftimin e Policisë.

2 të vdekur e 9 të lënduar në një aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Podujevë