Vendi ku do të ndërtohet Qendra e Xhudos | Foto: KALLXO.com

Peja do të Bëhet me Qendër Nacionale të Xhudos

Pozitë dhe opozitë janë bërë bashkë në Kuvendin Komunal të Pejës dhe kanë miratuar propozimin që në qendër të qytetit të ndërtohet objekti i Qendrës Nacionale të Xhudos.

Duke folur në emër të AAK-së, këshilltarja Xhenet Syka tha se vendi ku është paraparë ndërtimi i Qendrës është meritor.

“Nëse dikush ka krijuar elitat sportive jo vetëm në arenën vendore por edhe atë ndërkombëtare janë xhudistët e Pejës. Ata e kanë bërë mrekullinë e shekullit. Trendin që po shkon Komuna  e Pejës me zhvillimin e potencialit turistik dhe aseteve të shumta është vend meritor edhe qendra e qytetit sepse është klubi i xhudos me gjithë figurat dhe mburrjet që ka brenda prezantojnë një krenari për qytetin”, tha Syka.

Mendim të njëjtë pati edhe grupi i këshilltarëve të PDK-së.

Muhamet Haliti tha se ndërtimi i palestrës së xhudos në mes të qytetit është mundësi e mirë për zhvillimin e sportit.

“Edhe ne si grup e përkrahim ketë iniciativë. Është e vërtetë se kemi me çka mu krenu si Pejë. Mendoj se edhe pse aty duket hapësirë e ngushtë e ka efektin e vet, duke e pasë parasysh se aty janë shumë lokale edhe ndoshta në një farë forme i stimulon të rinjtë që mos me nejtë shumë nëpër kafe por mu marrë me sport”, u shpreh Haliti.

Ndërsa këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avdi Shkreli, theksoi së është për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos, por sipas tij  parku i madh i qytetit do ishte vend me adekuat për ndërtimin e saj.

“Jemi për ndërtimin e saj por ka një vend të përshtatshëm në park të qytetit ku është edhe palestra, mund të rrënohet dhe të zgjerohet të bëhet me kapacitete të duhura në një qendër të mirëfilltë”, tha ai.

Mendim të njëjtë me të patën edhe këshilltarët e AKR-së dhe PD-së.

Qendra Nacionale  e Xhudos pritet të ndërtohet në vendin ku kishte qenë me herë çerdhja e qytetit, afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se aty është një hapësirë prej 16 ari, e mjaftueshme për ndërtimin e palestrës sportive, e cila do jetë Qendër Nacionale e Xhudos.

Ai tha se është diskutuar gjatë bashkë me përfaqësues të Federatës së Xhudos dhe Ministrisë së Kulturës dhe Sporti se ku të ndërtohet objekti.

“16 ari është sipërfaqe e mjaftueshme për mu ndërtu një objekt që i ka hije këtij sporti, tu e marrë parasysh rëndësinë që ka, se është medalja e parë olimpike që e kanë marrë ndonjëherë shqiptarët këto dymijë e sa vjet. Edhe i bën nder qytetit të Pejës me qenë si qytet sportiv vendi ku e kemi propozuar”, tha Muhaxheri.

Ai shtoi së për ndërtimin e çerdhes së qytetit Komuna po shikon si mundësi hapësira publike në lagjen “Jarania”.

Në fund, propozimi u miratua me 30 vota për, një kundër dhe një abstenim.