Gjykata e qarkut Zagreb. Foto: Wikimedia Commons/Suradnik13

Paraushtarakët Serbë Dënohen për Djegien e Fshatit Kroat

Gjykata e qarkut të Zagrebit të martën e shpalli Nikola Lagjeviqin, Pedrag Radishiqin dhe Dean Tisman – të gjithë ish-anëtarë të Batalionit të dytë të Kompanisë së dytë të forcave të Republikës së Krajinës Serbe, një shtet i vogël i panjohur serb – fajtorë për krime lufte.

Të tre burrat u dënuan për djegien dhe shkatërrimin e shtëpive në fshatin Nova Derencina, i cili ishte pothuajse plotësisht i populluar nga kroatë, në tetor dhe nëntor 1991.

Ata u gjykuan në mungesë, pasi ata supozohet se jetojnë jashtë Kroacisë.

Gjykata dha një dënim me shtatë vjet e gjysmë burg për Lagjeviqin, ndërsa Radishiqi dhe Tisma u dënuan me nga pesë vjet e gjysmë burg secili – pak më shumë se dënimi me burg minimal prej pesë vjetësh.

Gjyqtari Tomislav Jurisa tha se “djegia e shtëpive simbolizonte se fshatarët kroatë nuk duhet të ktheheshin më kurrë”.

Gjykata vërtetoi se Lagjeviq ishte në dijeni që vartësit e tij po i vinin zjarrin fshatit dhe nuk bëri asgjë për t’i ndaluar ata ose për të sanksionuar më pas autorët.

“Gjatë gjyqit u konstatua se në atë moment (kur fshati u dogj për herë të parë më 6 tetor 1991), nuk kishte forca kroate ose objektiva ushtarake në fshat dhe se të gjitha shtëpitë ishin objekte civile,” tha gjyqtari Jurisa.

Sipas gjykatës, u vërtetua se Lagjeviq ishte “komandanti zyrtar dhe i vërtetë i Batalionit të dytë të Kompanisë së dytë” dhe kështu kishte “përgjegjësi për parandalimin dhe sanksionimin e veprave penale” të kryera nga vartësit e tij, të cilët përfshinin Radishiqin dhe Tisman.

Gjykata vërtetoi fajësinë e Radishiqit nga fotografitë në të cilat ai duket me një fshesë në zjarr, pranë shtëpive që po digjen.

Faji i Tismas u përcaktua pjesërisht nga një letër personale që ai i dërgoi vëllait të tij, duke i përshkruar krimet, që gjykata zbuloi se ishte autentike.

Gjykata përcaktoi përgjegjësinë komanduese të Lagjeviqit përmes deklaratave të dëshmitarit Nikola Simiq, gjithashtu një ish-paraushtarak, i cili tha se Batalioni i 2-të kishte tre toga, të përbëra nga anëtarë të Mbrojtjes Territoriale dhe civilë të rekrutuar.

Gjykata përcaktoi gjithashtu se Lagjeviq kishte pushtet të vërtet komandues nga dëshmitë se ai urdhëroi që dy tanke të vendoseshin në fshat.

Gjykata më tej vendosi se së bashku me Radishiqin dhe Tisman, kishte një autor të dyshuar të tretë, Predrag Japranin.

Jurisa shpjegoi se gjatë dënimit të Radishiqit dhe Tismas, gjykata mori parasysh se ata ishin në moshën 21 vjeçare në atë kohë dhe se “po manipuloheshin”.

Ai theksoi se “naiviteti dhe madje budallallëku” i tyre u tregua në letrën e Tismas, në të cilën ai shkruante për “21 MiGs rusë (avionë ushtarakë) me pilotët rusë” që vinin në ndihmë të serbëve – diçka që nuk ndodhi kurrë, sipas të gjitha burimeve të besueshme.

Jurisa tha se rinia e burrave ishte një “përgjegjësi më e madhe për stafin e oficerëve” – e cila shërbeu si një rrethanë rënduese në dënimin e eprorit të tyre, Lagjeviq.