Parandalohen Dy Raste të Kontrabandës

Njësitë e Doganës së Kosovës kanë arritur të kapin në dy raste të ndara sasi të mallrave të tekstili dhe atyre ushqimore që u tentua të futeshin kontrabandë në Kosovë.

Vlera e mallit që u tentua të kontrabandohej është mbi 2,000 euro.

“Gjatë një kontrolli rutinor në fshatin Kqiq, Komuna e Mitrovicës, Dogana e Kosovës ka ndaluar për kontroll automjetin “Citroën” me targa të Kosovës. Në bagazh janë gjetur produkte ushqimore pa dokumentacion valid. Mallrat janë konfiskuar dhe personi në posedim është gjobitur”, njofton Dogana përmes një komunikate.

Po të njëjtën ditë, gjatë kontrollimit të autobusit me targa të Novi Pazarit, të relacionit Serbi – Kosovë, janë gjetur mallra pa dokumentacion, kryesisht veshje tekstili.

“Edhe për këto produkte pronari i tyre nuk posedonte dokumentacion, prandaj konsiderohet i kontrabanduar dhe si i tillë i është nënshtruar konfiskimit dhe gjobitjes”, njofton Dogana e Kosovës.