Sadri Ramabaja - Foto: Facebook

Paraburgim për Sadri Ramabajën

Një muaj paraburgim është masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati i të pandehurit, Ramiz Krasniqi.

Sadri Ramabaja dyshohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për kryerjeve e dy veprave penale: Vrasje të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe Përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Vetë Ramabaja kishte njoftuar se më 25 shtator ka marrë ftesë për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës në cilësinë e të pandehurit dhe të dyshuarit për këto dy vepra.

Ndërsa, më 1 tetor prokurori Sylë Hoxha kishte konfirmuar për KALLXO.com se Sadri Ramabaja është ftuar për intervistim në prokurori si i dyshuar për përgatitje të veprave terroriste.

Ndërkohë, Ramabaja ishte ndaluar të premten në mbrëmje nga autoritetet e Shqipërisë në përpjekje për t’u larguar përmes pikës kufitare në Durrës.

Avokati i tij, Ramiz Krasniqi, tha sot për KALLXO.com se klienti i tij kishte tentuar të largohej drejt një vendi europian pasi që kishte marrë informacione se jeta e tij ishte në rrezik.