Gjykata vendos për rastin “Syri i Popullit”

Gjykata e Prishtinës ka gjetur fajtor Avni Llumnicën, si i akuzuar në rastin “Syri i Popullit”.

Për këtë rast të akuzuar janë Avni Llumnica për tentimvrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me të ndjerin Murat Jashari.

Kurse, Sadri Ramabaja sipas aktakuzës ka ndihmuar të pandehurit për ndihmë në tentimvrasje, por ai është liruar nga aktakuza.

Gjykata gjeti fajtor Avni Llumnicën për veprën e lartëcekur dhe i njëjti është dënuar me 4 vite e 6 muaj dënim me burgim.

Ndërsa, nga akuza është liruar Sadri Ramabaja pasi që nuk është arritur të provohet se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

Në gjykimin i cili u mbajt të premten, i pranishëm ishte vetëm Sadri Ramabaja.

Kujtojmë që Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë në janar të vitit 2020, kishte marrë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri i Popullit”, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të datës më 27.02.2018.

Por pas ankesave të ushtruara nga palët, gjykata e shkallës së dytë rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rekomandimeve të Gjykatës së shkallës së dytë, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.

Sipas aktakuzës, të datës  27.10.2020 së Prokurorisë Speciale, Avni Llumnica më 13.03.2017, në Prishtinë, në bashkëkryerje me ish të pandehurin tashmë të ndjerin Murat Jashari, e që ky i fundit ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta, si ish funksionar i Kosovës i viteve të tetëdhjeta, që është konsideruar tradhtar i vendit, i pandehuri Avni Llumnica me dashje ka kontribuar thellësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar tashmë të ndjerin ish të pandehurin Jashari, në atë mënyrë që më 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMW X6, me targa të Zvicrës e kanë sjell nga Zvicra në Kosovë.

Aktakuza tregon se më 10.03.2017 e ka ftuar si mysafir në shtëpinë e tij në fshatin Barilevë, me ç’rast ish i pandehuri Jashari ka fjetur në shtëpinë e tij, e të nesërmen më 11.03.2017 gjatë ditës kanë qenë së bashku në villa “Panorama” në fshatin Matiqan edhe me të pandehurin Sadri Ramabaja, në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku edhe ia ka paguar fjetjen për atë natë.

Ndërsa sipas aktakuzës, më 13.03.2017, pasi ish i pandehuri Murat Jashari ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë i shkakton lëndime të rënda trupore, i pandehuri Avni Llumnica, menjëherë pas aktit është takuar në qytet, janë fotografuar dhe me automjetin e tij BMË X6, me targa zvicerane kanë shkuar në motel “Fontana” për t’i marrë gjërat personale tani të të ndjerit e ish të pandehurit Murat Jashari dhe të nisen në drejtim të Maqedonisë me qëllim që të ikin nga vendi i kryerjes së veprës penale saktësisht nga Kosova dhe për të shkuar në Zvicër. Mirëpo rreth orës 12:00, së bashku me ish të pandehurin Murat Jashari janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë në bashkëkryerje kanë konsumuar veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Në aktakuzë thuhet se Sadri Ramabaja me dashje që Jashari të vriste tani të dëmtuarin Azem Vllasi, i ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që më 11.03.2017 gjatë ditës së bashku me të ish të pandehurin Murat Jashari dhe të pandehurin Avni Llumnica kanë qenë në vila “Panorama” në Matiqan, ku në të njëjtin vend duke qenë në dijeni se po të ndodh kryerja e veprës penale, i kanë dhënë këshillat dhe udhëzimet se si të kryhet vepra penale, se si të bie në kontakt me tani të dëmtuarin dhe çka të veprohet pas kryerjes së veprës penale dhe pas takimit së bashku me të pandehurin Avni Llumnica në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik.

Pastaj thuhet se, ditën e nesërme me datën 13.03.2017 ish i pandehuri Murat Jashari duke vepruar sipas udhëzimeve ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi e që për pasojë shkakton lëndime të rënda trupore, ku pas kryerjes së veprës penale largohet nga Kosova, fillimisht në Shqipëri dhe gjatë tentimit të largohet nga Shqipëria, arrestohet nga Policia shqiptare, me pretekstin se ka dashur të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.