Arkiv

Shtyhet përsëri seanca në rastin e njohur 'Syri i Popullit'

Seanca e paraprë që të mbahet sot në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, ndaj të akuzuarëve Avni Llumnica dhe Sadri Ramabaja, është shtyer pasi që nuk kishte kushte ligjore për mbajtjën e saj.

Në seancën e sotme, ishte e planifikuar që të bëhej dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria, Gëzim Haliti dhe Nuri Zeka. Të dy dëshmitarët janë ftuar edhe mëheret në seancë por që të dy nuk janë paraqitur. Ata kanë munguar edhe në seancën e planfikuar që të mbahej sot.

Kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli njoftoi se ndaj dëshmitarëve Gëzim Haliti dhe Nuri Zeka, është lëshuar urdhëresë për sigurimin e tyre në seancë.

Gjyqtari Musa Konxheli deklaroi se për dëshmitarin Nuri Zeka, nga policia ka marrur informatë se i njejti ndodhet jasht vendit që nga viti 2018, ndërsa për dëshmitarin tjetër Gëzim Haliti, nuk kanë mundur të sigurojnë informacione rreth vendbanimit të tij.

Në seancën e sotme ka munguar edhe i akuzuari Avni Llumnica, e për të cilin avokati i tij mbrojtës Naim Rudari, deklaroi se nuk ka informacione rreth arsyjës së mungesës së tij.

Në mungesë të këtyre kushteve, seanca është shtyer për datë 14 tetor 2021.

Kujtojmë se Gjykata e shkallës së parë në Prishtinë më 21 janar 2019, kishte marrë vendim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Gjykata kishte dënuar Avni Llumnicën me 12 vjet burgim unik për veprat penale të hakmarrjes, sulmit seksual dhe terrorizmit, si dhe i konfiskoi veturën e markës “BMË X6”

Për terrorizëm ishte dënuar edhe Sadri Ramabaja me 5 vjet burgim, Ragip Sallova 4 vjet, Rexhep Topllana me 2 vjet burgim dhe Halim Halimi ishte dënuar me 3 vjet burgim.

Ndërsa Bajrush Konjusha ishte dënuar me 3 vjet burgim efektiv si dhe dënim me gjobë në shumë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje të një pushke ajrore dhe një revole me gaz e modifikuar.

Behxhet Luzha ishte dënuar me 2 vjet burgim për shkak të moslajmërimit të veprës penale.

Ndërsa, tashmë të ndjerit, Murat Jashari, iu kishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 viteve si dhe iu konfiskua arma e llojit “Crvena Zastava” me shurdhues. Jashari ka vdekur ditë më parë.

Në aktgjykimin 117 faqesh të 3 marsit 2020 të Gjykatës së shkallës së parë të shkruar nga kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi – Jashanica, Apeli gjeti 11 shkelje të ligjit që si pasojë pati prishjen e vendimit dhe kthimin e lëndës në rigjykim.

Po ashtu Apeli vendosi që të akuzuarin Sadri Ramabaja ta lirojë nga paraburgimi.

Apeli ka gjetur 11 shkelje esenciale që kanë të bëjnë me mbajtjen e seancës gjyqësore pa praninë e të akuzuarit, përjashtimi i publikut pa aktvendim të arsyetuar, mungesën e propozimit të të dëmtuarve për ndjekje, gjykimin e rastit duke tejkaluar akuzën, mos-përpilimin e aktgjykimit konform ligjit, shkeljen e mbrojtjes, shkeljen e ligjit penal, mosarritjen e vërtetimit të veprës penale, vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe mbajtjen e gjykimit ndaj personit i cili nuk është në gjendje shëndetësore mendore për përballimin e gjykimit.

Në aktakuzën e dytë të Prokurorisë thuhet se ndaj Murat Jasharit, tani të ndjerë, ishte ndarë procedura, dhe paraqitur propozimi për trajtim të detyrueshëm psikiatrik.

Jasharit më 9 shkurt 2021 i është shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë. Ndërsa më 3 mars 2021, Murat Jashari ka vdekur.

Kurse për të akuzuarit Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Halim Halimi dhe Behxhet Luzha, Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale, duke i zbatuar rekomandimet e vendimit të Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Avni Llumnica më 13.03.2017, në Prishtinë, në bashkëkryerje me ish të pandehurin tashmë të ndjerin Murat Jashari, e që ky i fundit ka tentuar ta privojë nga jeta tani të dëmtuarin Azem Vllasi nga hakmarrja e paskrupullt dhe për shkak të motiveve të ulëta, si ish funksionar i Kosovës i viteve të tetëdhjeta, që është konsideruar tradhtar i vendit, i pandehuri Avni Llumnica me dashje ka kontribuar thellësisht në kryerjen e veprës penale duke e ndihmuar tashmë të ndjerin ish të pandehurin Jashari, në atë mënyrë që më 06.03.2017 me automjetin e tij të markës BMË X6, me targa të Zvicrës e kanë sjell nga Zvicra në Kosovë.

Aktakuza tregon se më 10.03.2017 e ka ftuar si mysafir në shtëpinë e tij në fshatin Barilevë, me ç’rast ish i pandehuri Jashari ka fjetur në shtëpinë e tij, e të nesërmen më 11.03.2017 gjatë ditës kanë qenë së bashku në villa “Panorama” në fshatin Matiqan edhe me të pandehurin Sadri Ramabaja, në mbrëmje e kanë dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku edhe ia ka paguar fjetjen për atë natë.