Paraburgim ndaj policit të dyshuar për dhunim dhe ngacmim seksual
KALLXO.com ka marrë vesh se Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji policit i cili po dyshohet për dhunim dhe ngacmim seksual ndaj të miturës nga Drenasi.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Arben Hoti, vendimin e mori pas mbajtjes së seancës për caktimin e masës së sigurisë me ç’rast u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë, e cila kërkoi paraburgim për të dyshuarin.
Vendimi është marrë prapa dyerve të mbyllura pasi që Gjykatësi i rastit nuk i ka lejuar mediat dhe publikun që të jenë të pranishëm në seancë.
I dyshuari V.V. ishte arrestuar ditën e djeshme nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të dhunimit dhe keqpërdorimi seksual, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin.
https://kallxo.com/flet-avokati-i-policit-te-dyshuar-per-abuzim-seksual-me-te-mituren/
Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast po vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast.
Në ndërkohë sot Prokuroria Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arrest ndaj mësimdhënësit të nxënëses 16 vjeçare nga Drenasi nën dyshimin për dhunimin dhe keqpërdorimin seksual të së miturës, për të cilin rast gjatë ditës së djeshme u arrestua edhe polici V.V.
Ngjarja e cila e tronditi opinion publik në Kosovë dyshohet se fillimisht ndodhi pasi që e mitura kishte shkuar për ta raportuar ngacmimin seksual nga mësimdhënësi.
Gjatë ditës së djeshme mediat raportuan se viktima e mitur kishte shkuar në polici për të raportuar ngacmimin e mësimdhënësit por që më pas kishte rënë pre e dhunimit dhe keqpërdorimit seksual edhe nga polici.