Panairet, Mundësi e Mirë e Promovimit të Aseteve

Panairi i Edukimit dhe ai për Turizëm, Hotelieri dhe Gastronomi kanë filluar sot edicionet e tyre në Prishtinë.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se panairi është një mundësi shumë e mirë që të promovohen mundësitë që ka sfera e edukimit, sidomos arsimi profesional.

“Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës ka filluar një projekt të madh të lidhjes së sistemit arsimor me biznesin dhe ne jemi në prag të finalizimit të projektit të nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit me të gjitha bizneset për të pranuar sa më shumë nxënës dhe studentë në praktikë profesionale”, tha ministri.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci tha se Komuna është e përkushtuar për profesionalizmin dhe përmirësimin e shkollave profesionale.

“Qëllimi jonë në mbështetjen e këtyre shkollave është që këto vërtet të jenë shkolla ku për nxënësit të jenë zgjedhja e tyre e parë, e jo shkolla ku nxënësit do të shkojnë vetëm pse nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen në shkollat tjera”, tha ajo.

Panairi i Edukimit, i cili organizohet për çdo vit, është i dhjeti me radhë. [interaction id=”5718cff039702c9c4f0c6746″]

Ndërkaq, për panairin e 13-të të Turizmit foli ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, e cila tha që në kuadër të zhvillimit të turizmit po bëhen projekte për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e ambientit të biznesit.

“Ne kemi shumë asete të çmueshme në mënyrë që të marrim një identitet. Kemi turizmin malor i cili kish me qenë një masë komparative përkrah turizmit në Shqipëri dhe Ulqin. Nëse ne shkojmë atje t’i kalojmë pushimet e verës atëherë ftojmë edhe përfaqësuesit dhe qytetarët nga Mali i Zi dhe Shqipëria që të shijojnë lartësinë e bjeshkëve tona”, tha ajo.

Hykmete Bajrami tha që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka hartuar planin për zhvillimin e turizmit deri në vitin 2020, i cili është në fazën përfundimtare.

Drejtori i Agjencisë Kombëtarë të Turizmit  në Shqipëri, Ardit Qollaku, tha që Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për bashkëpunim në fushën e turizmit.

“Shqipëria ka bregdetin, por ka edhe kulturën, traditën dhe historinë, të cilën e kemi të përbashkët, ndërsa Kosova shquhet për traditat e saja, si dhe zhvillimin e zonave turistike siç janë ato të skijimit, për të cilat Shqipëria e ka ëndërr që t’i ketë”, tha ai.

Panairi i Edukimit dhe Panairi për Turizëm, Hotelieri dhe Gastronomi do të jenë të hapura në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, edhe gjatë ditës së nesërme.